Hahn: Presidenti të rishikojë pozicionin e tij urgjentisht

Hahn: Presidenti të rishikojë pozicionin e tij urgjentisht

Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn së bashku me tre eurodeputetët Eduard Kukan, Knut Fleckenstein dhe Ivo Vajgl nga takimet e zhvilluara sot me përfaqësuesit e partive politike parlamentare në Maqedoni kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, duke shprehur se të gjithë liderët “duhet respektuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Në një demokraci, të gjithë duhet të pranojnë shumicën parlamentare”.

“Ne inkurajojmë Presidentin të rishikojë pozicionin e tij urgjentisht. Nuk ka kohë për të humbur. Ne tani presim që të gjithë liderët dhe institucionet politike të lënë procesin demokratik të ecë në kursin e tij, në interes të qytetarëve të vendit. Vonesat e muajve të fundit tashmë kanë dëmtuar ekonominë e vendit”, theksohet në deklaratë, raporton Anadolu Agency.

Më pas bëjnë thirrje për formimin e shpejtë të një qeverie të re të përkushtuar për të zbatuar reformat e vonuara. Palët dhe qeveria e re pritet të vazhdojnë zbatimin e të gjitha pjesëve të marrëveshjes së Përzhinës.

Në deklaratë kërkohet që të gjithë të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat të cilat mund të nxisin tensione ndëretnike apo të dëmtojnë marrëdhëniet e mira fqinjësore.

“Askush nuk duhet të joshet për të luajtur me zjarr. Ne jemi thellësisht të shqetësuar për tensionet dhe gjuhën e urrejtjes. Liria e tubimit dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore në shoqëritë demokratike, por ata vijnë me përgjegjësi”.

Më tej në deklaratën e përbashkët thuhet se “retorika negative e shënjestruar ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe shoqërisë civile është plotësisht kundë rproduktive. Kjo dëmton imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare dhe kredibilitetin e atyre që e përdorin atë”.

Treshja e eurodeputetëve së bashku me Johannes Hahn sot u takua me përfaqësuesit e Lëvizjes BESA, Aleancës për Shqiptarët, LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së.