Hahn: Marrëveshja të jetë specifike dhe e përshtatur, e jo precedent

Hahn: Marrëveshja të jetë specifike dhe e përshtatur, e jo precedent

Komisari evropian për zgjerim dhe politikë fqinjësore Johannes Hahn ka deklaruar se marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë specifike dhe e përshtatur, e jo precedent, dhe duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Qëndrimi i përfaqësueses së lartë Frederica Mogherini si ndërmjetësuese në negociata është i qartë dhe ka qenë i qartë prej fillimit të mandatit të saj, aksioni i përbashkët për paqen e përhershme në mes të Serbisë dhe Kosovës dhe në rajon si tërësi është prioritet kryesor për BE”, ka thënë ai në një intervistë për gazetën malaziase “Pobjeda”.

I pyetur se a është për BE i pranishëm ndryshimi i kufijve dhe se a janë ende në fuqi qëndrimet e Komisionit të Badinterit për mos ndryshimin e kufijve të ish njësive federale të Jugosllavisë, ai ka thënë se sa i përket dialogut të Prishtinës dhe Beogradit zgjidhja e përhershme do të thotë zgjidhja e qëndrueshme, reale sipas të drejtës ndërkombëtare.

“Ky është parimi kryesor, pasi që punët në fazën përfundimtare të dialogut kanë filluar në korrik të vitit të kaluar. Çdo marrëveshje duhet të jetë specifike, e përshtatur e jo precedent, dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal dhe rrugën e rajonit kah BE. Palët bashkërisht e definojnë kornizën për pajtim të përbashkët dhe publikisht kanë thënë se i shohin prioritetet e zgjidhjes së përhershme. Duhet t’iu jepet hapësirë të merren vesh për përmbajtje të marrëveshjes së gjithëpërfshirëse për normalizim”, ka thënë Hahn.

Ai ka shtuar, se si ndërmjetësues nuk do të komentojë elementet e mundshme të marrëveshjes gjithëpërfshirëse të plotfuqishme.

“Po përpiqemi të vazhdojmë të punojmë në mënyrë intensive nga të dyja palët në marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të cilën do ta përkrahë komuniteti ndërkombëtar dhe të cilën do ta zbatojnë plotësisht të dyja palët. Më lejoni t’ju përkujtojë se asnjë shtet i ri nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa i zgjidhur çështjet bilaterale”, ka shtuar Hahn./Insajderi.com.