Guterres: Vazhdon puna e komisionit të OKB-së rreth Sirisë

Guterres: Vazhdon puna e komisionit të OKB-së rreth Sirisë

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se komisioni i OKB-së që heton krimet e luftës në Siri duhet të vazhdojë punën, pavarësisht dorëheqjes së Carla del Ponte, anëtare e këtij komisioni.

Ish prokurorja për krime lufte, Del Ponte, ka njoftuar se do të largohet nga ky komision, i cili sipas saj “nuk po bën asgjë”, pavarësisht padrejtësive që po ndodhin në Siri.

“Krimet e kryera në Siri, nuk i kam parë as në Ruandë apo ish Jugosllavi”, i ka thënë Del Ponte gazetës zvicerane, Blick.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, u ka thënë gazetarëve se Guterres ndjen keqardhje për vendimin e saj, mirëpo beson se komisioni do të vazhdojë të jetë “pjesë e rëndësishme e procesit”.

Komisioni i ka bërë thirrje vazhdimisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime, të hapë një hetim për krimet e luftës në Siri.

Mirëpo kjo përpjekje e këshillit ishte bllokuar më 2014, nga aleatët e Sirisë, Kina dhe Rusia.