Gundogan: Manchester City klub më i madh se Bayerni

Gundogan: Manchester City klub më i madh se Bayerni

Ai sot mund të luante te skuadra si Bayern München apo Barcelona, por zgjodhi të besojë te trajneri Pep Guardiola dhe projekti i këtij të fundit te Manchester City.

Pikërisht ai, Ilkay Gündogan, ka gjetur veten te “Qytetarët“, i transferuar nga Borussia Dortmund në qershorin e kaluar, pavarësisht se vuante nga një dëmtim në gju dhe debutimin e tij në Premier League arriti ta bënte vetëm në shtator, njofton Telesport.

Gjermani shënoi dopietë në fitoren 3-1 të skuadrës blu në Champions League ndaj Barcelonës dhe së fundmi ka deklaruar se ndihet shkëlqyeshëm në Manchester, aty ku gjithçka i duket më e madhe se verdhezinjtë, madje edhe se kampionët e Gjermanisë.

“Kur shkoj për në qendrën stërvitore me makinë, që aty gjërat më duken shumë impresionuese. As Bayern München nuk mund të krahasohet me këtë, është një kampionat ndryshe”, – tha ai në një intervistë për gazetën “Kicker“.

“Këtu mund ta kuptosh se ke shkuar te një klub botëror, që dëshiron të zhvillojë gjëra të mëdha në vitet e ardhshme. Rrjedhimisht, presioni dhe përgjegjësia te lojtarët janë të mëdha. Është diçka ndryshe krahasuar me Borussia-n. Pritshmëritë janë shumë të larta për shkak të transferimeve dhe Pep Guardiolës, i cili është një personifikim i suksesit“, shtoi Gundogan. /Insajderi.com