Guardiola: Nuk kam ndërmend ta ndryshoj futbollin anglez, erdha ta ndryshoj stilin tim

Guardiola: Nuk kam ndërmend ta ndryshoj futbollin anglez, erdha ta ndryshoj stilin tim

Prej kur ka mbërritur në Premier League si trajner i Manchester City, trajneri spanjoll Pep Guardiola ka pranuar se ende nuk është adaptuar ashtu si duhet me kampionatin anglez, ndaj ka bërë mjaft gabime.

Një deklaratë që ka ardhur pas fitores ndaj West Ham në FA Cup, sukses që i çoi në raundin e katërt të këtij turneu. Manchester City ndodhet 7 pikë pas kryesuesve të Chelsea.

“Në pjesën e parë të sezonit zhvilluam disa ndeshje vërtet shumë të mira. Por, më pas, bëmë disa gabime kryesisht në mbrojtje dhe humbëm atë rrjedhshmëri që kishim të lojës tonë”, është shprehur Guardiola.

“Edhe idetë e mia, në ndonjë rast, nuk ishin ato të duhurat. Kjo ndodh pasi unë jam ende duke mësuar karakteristikat e lojtarëve të mi, kush është pozicioni i tyre i duhur në fushë dhe të gjej mënyrën e duhur që ata të adaptohen me idetë e mia”, ka shtuar ndër tjerash Guardioa sot për “Sky Sports”.

Mirëpo Guardiola nuk fajëson skuadrën për këtë paraqitje.

“Nuk është faji i lojtarëve, pasi i shoh tek stërviten fort. Ndaj unë përpiqem t’i ndihmoj ata. Nëse gjërat nuk shkojnë ashtu si duhet, është faji im”, tha trajneri 45-vjeçar,

Ndërsa në fund Guardiola shtoi se “Unë nuk kam ndërmend të ndryshoj futbollin anglez, e kundërta po, ndaj erdha këtu, që të ndryshoj stilin tim, pasi stil im i lojës po bëhej i mërzitshëm. Unë po përpiqem të përshtatem me futbollin anglez”, tha Guardiola.