Guardiola nuk e merr seriozisht Riberyn

Guardiola nuk e merr seriozisht Riberyn

Franck Ribery dhe ish-trajneri i tij Pep Guardiola fizikisht janë 12530 kilometra larg njëri-tjetrit, por këndvështrimi e tyre për futbollin i ndan … me mijëra vite dritë. Një përshtypje e tillë u la të kuptohej nga vetë francezi mbrëmjen e së mërkurës në Chicago para ndeshjes Bayern-Milan.

Duke folur për tre sezonet e tij me teknikun katalanas, Ribery shprehu disa pakënaqësi të tij në raport me 45-vjeçarin.

“Unë nuk kam nevojë për njerëz të cilët më tregojnë se ç’duhet të bëj në fushë: Bëj këtë apo këtë. Duhet të jem i lirë”,  tha francezi.

Ribery shtoi se Pep është një trajner pa përvojë. “Guardiola është i ri, ende pa përvojë. Nganjëherë flet shumë. Në një gjysmëfinale Champions League nuk mund të gabosh. Duhet të luash me lojtarët më të mirë”, theksoi “Mbreti i Mynihut”, duke iu referuar faktit se katalanasi la Thomas Müllerin në stol në gjysmëfinalen e parë kundër Atletico Madridit në sezonin e kaluar, shkruan telesport.

Gazeta gjermane “Bild” intervistoi Guardiolën në Shenzen me rastin e ndeshjes Manchester City-Dortmund, duke e pyetur se ç’mendon për deklaratën e ish-lojtarit të tij. Pep qeshi dhe i ra shkurt: “Për Franckun më duhet të them se e dua shumë.”

Për kritikën se është trajner i ri, gjeniu i futbollit tha: “Është mirë që Ribery thotë se jam i ri. Do të mësoj.”