Guardiola fiton duelin e parë ndaj Mourinhos në Premier Ligë

Manchester City i Pep Guardiolas ka mundur si mysafir Manchester United, në një ndeshje që konsiderohet si më e shtrenjta në histori të futbollit.

Guardiola fiton duelin e parë ndaj Mourinhos në Premier Ligë

“Qytetarët” fituan me rezultat 2 me 1 dhe të gjitha golat janë shënuar në pjesën e parë.  Kevin De Bruyne dhe Iheanacho shënuan për City-n, ndërsa Ibrahimovic shënoi në fund të pjesës së parë për “Djajtë e Kuq”.

Goli i Ibrahimovic erdhi pas një dalje të gabuar të portierit të “Qytetarëve” në zonën e rrezikshme.  Portieri Bravo ka shfaqur në disa raste pasiguri me qarkullimin e topit që kanë mundur t’i kushtojnë edhe me një tjetër gol.

City, që në lojë ishte pa sulmuesin kryesor Sergio Aguero, arriti që përveç dy golave të krijojë edhe së paku dy raste të mira të shënimit.  Golashënuesi i parë, De Bruyne, qëlloi shtyllën në minutën e 73 të ndeshjes pas një kundërsulmi të mysafirëve.

Kështu, Manchester City në katër ndeshjet e para ka pikë të plota, gjithsej 12 dhe do të vendoset në krye të tabelës./Insajderi.com