Grupi i ndarë nga VV distancohet nga dhuna e Kurtit

Grupi i ndarë nga VV distancohet nga dhuna e Kurtit

Në Kuvendin e Kosovës sot deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë vazhduar traditën e hedhjes së gazit lotsjellës për të penguar votimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, veprim ky të cilin e kanë bërë edhe para tre vite.

Mirëpo para tri vite numri i deputetëve të Vetëvendosjes që hidhnin gaz ishte më i madh, në mesin e tyre ishte edhe ish-lideri i VV-së, Visar Ymeri, mirëpo ai sot u distancua me veprimin e ish kolegëve të tij.

Ymeri së bashku me deputetët tjerë të dorëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje treguan se nuk do ta ndjekin më rrugën e dhunshme të Albin Kurtit.

Visar Ymeri së bashku me Aida Dërgutin, Dardan Molliqajn, Dardan Sejdiun, Fisnik Ismailin, Besa Baftiu, Dugagjin Gorani, Faton Topalli, Shqipe Pantina, Frashër Krasniqi dhe Driton Çaushi, janë larguar nga VV dhe kanë krijuar Grupin e Deputetëve të Pavarur.

Por sot Visar Ymeri së bashku me grupin e tij përveç që nuk kanë përkrahur kolegët e tyre, ata as nuk janë prononcuar për ngjarjet që janë duke ndodhur në Kuvend.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, për të ndaluar votimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Ndërsa Policia e Kosovës ka arrestuar shtatë deputetë të VV-së, Xhelal Sveçlën, Fitore Pacollin, Drita Millakun, Sali Zybën, Liburn Aliun, Valon Ramadanin dhe Arbërie Nagavcin.

Mirëpo lideri i tyre Albin Kurti ka arsyetuar hedhjen e gazit nga grupi i tij parlamentar duke thënë se ata vetëm janë duke i mbrojtur 8 mijë hektarë tokë të cilët Kosova është duke i humbur. /Insajderi.com