Gruevski kritikohet për komentet e tij ndaj shoqërisë civile dhe gazetave

Gruevski kritikohet për komentet e tij ndaj shoqërisë civile dhe gazetave

Mediet opozitare në Maqedoni janë duke i kritikuar komentet e ish-kryeministrit të vendit, Nikolla Gruevski, që i ka bërë për shoqërinë civile, mediet dhe gazetat, të cilat ai i quan “të korruptuara”.

Këto komente ai i ka bërë në portalin “Republika”.

Në intervistë, Gruevski i vërsulet Xhorxh Sorosit, shoqërisë civile, mediumeve dhe gazetarëve të pavarur, të cilët ai i quan “të korruptuar”, me pretendimin se nuk e konsiderojnë “një figurë të madhe të kombit maqedonas”, për çfarë ai e quan veten.

Konstatim pothuajse unanim është se Gruevski këtë intervistë vetë ia ka bërë vetvetes. Në fakt ia kanë bërë këshilltarët e tij, të cilët i kanë shkruar edhe përgjigjet edhe pyetjet drejtuar shefit.

Si argument për këtë merret fakti se intervistën e tij nuk e ka nënshkruar askush nga portali “Republika”, as gazetar, e as redaktor, madje nuk ka as autor të fotografive. Kështu që supozohet se edhe ato portalit ia kanë dhënë të gatshme nga partia.

Përveç kësaj, fakt i njohur është se Gruevski për mbi një dekadë nuk ka dhënë intervistë për asnjë medium të pavarur, por vetëm në ato media që asnjëherë s’ia kanë bërë asnjë pyetje provokuese, por vetëm e kanë lavdëruar.