Gruaja e Shefki Kuqit thotë se ia vodhën votat, tërhiqet nga politika

Gruaja e Shefki Kuqit thotë se ia vodhën votat, tërhiqet nga politika

Kandidatja që mori më së paku vota në listën e PDK-AAK-Nisma, Xhyljeta Kuqi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka akuzuar numëruesit e votave në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, se manipuluan me votat e saj.

Gruaja e ish-futbollistit Shefki Kuqi mori vetëm 1116 vota në zgjedhjet parlamentare.

E fundit e listës së PAN-it beson se ka pasur keqpërdorime të votave pasi, sipas saj, informatat që ajo ka pasur nga qendrat e votimin në ditën e zgjedhjeve nuk përputhen me rezultatin final të tyre.

Kandidatja nga Vushtria beson se ka marrë dyfishin e votave që ka, të cilat, gjithsesi se nuk do ta bënin deputete, por nuk do ta rënditnin të fundit.

“Unë do i besoj Aleancës, por jo edhe personave në qendrat e numërimit të votave. Ka pasur keqpërdorime dhe për këtë do të tërhiqem”, thotë Kuqi për Gazetën Express.

Ajo tregon se e gjithë familja e saj ka votuar për të në një klasë në fshatin Studime të Vushtrrisë, ndërsa nga po e njëjta klasë ajo ka marrë vetëm dy vota.

Meqë Kuqi nuk e konsideron mundësinë se familjarët mund të mos e kenë votuar, ajo thotë se i janë vjedhur votat në rastin më konkret.

Ajo ka treguar se ka fushata e saj kishte qenë e ngjeshur dhe i premtonte më shumë përkrahje në zgjedhje. Kuqi shton se ka zhvilluar aktivitete, jo vetëm në qyretin e saj, por edhe në zona tjera.

Rezultati dëshpërues i zgjedhjeve e ka dërguar Kuqin të zhgënjyer në Ulqin për të filluar një biznes veror, i cili beson se do të jetë më produktiv se rezultati në rrafshin politik. Por jo vetëm Kuqi; fundi i listës së PAN-it është i përbërë edhe nga disa gra tjera, që tregon se elektorati i këtij koalicioni ishte i rezervuar në votimin e tyre.

Alternativën do ta përfaqësojnë dy deputetë nga 10 sa kishin kandiduar brenda koalicionit LDK-AKR-Alernativa. E kandidatja më pak e votuar në listën e këtij koalicionit është Arbërore Riza nga radhët e iniciativës më të re të skenës politike që mori 620 vota. /Insajderi.com