Greqi, 13 tonë hashash nga Shqipëria brenda vitit

16.03.2017 19:44
Greqi, 13 tonë hashash nga Shqipëria brenda vitit

Policia greke ka njoftuar se brenda një viti, në të gjithë vendin ka sekuestruar sasinë rekord prej gati 13 tonë kanabis sativa, njofton top channel.

Sipas raportit përfundimtar të Antidrogës greke, që prej shkurtit të vitit 2016 e deri në shkurt të këtij viti, autoritetet greke kanë sekuestruar sasinë e kanabisit të përpunuar dhe paketuar në operacione të ndryshme të kryera gjatë një viti.

Vlen të përmendet se, pothuajse e gjithë sasia e kanabisit të përpunuar e kapur prej Antidrogës e ka origjinën nga Shqipëria, ndërsa kultivuesve vendas të drogës iu gjetën dhe sekuestruan 55.470 rrënjë kanabis.

Burime të policisë greke i thanë Top Channel se, kanabisi i ardhur nga Shqipëria ka sunduar tregun vendas të drogës gjatë këtij viti, për shkak të çmimit tepër të lirë të tij dhe sasisë tepër të madhe të disponuar prej trafikantëve.

Të njëjtat burime sqaruan se, disa tentativa të kultivuesve vendas për prodhimin e drogës në vend u bllokuan prej autoriteteve, për shkak të masave tepër të ashpra të ndërmarra prej tyre në parandalimin e prodhimit të drogës në vend.

Një sasi e vogël e kanabisit dyshohet se është prodhuar në zonat e Kretës dhe Kalamatës, por sasia e saj vlerësohet si e papërfillshme.

Prej të paktën dy vitesh, autoritetet vendase aplikojnë një sistem monitorimi dhe fotografimi nga ajri të të gjithë territorit, ndërsa agjentët kryejnë verifikime nga terreni në zonat e dyshuara.

Shokues është fakti që trafiku i lëndëve narkotike në vend ka një trend në rritje, gjë që e bën luftën kundër narkotikëve edhe më emergjente.

Të dhënat e Antidrogës greke, të publikuara prej Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit, tregojnë se grekët janë kryesisht përdorues të drogave të lehta, siç konsiderohet kanabisi dhe ekstazia, ndërsa heroina që mbërrin në vend tranzit nga Turqia dërgohet kryesisht në vendet e Europës nëpërmjet porteve të vendit.

Edhe droga e të pasurve, siç vlerësohet kokaina, duket sa ka një rënie në përdorim, ndoshta për shkak të vështirësive ekonomike që po kalon vendi.

Që prej shkurtit të vitit 2016 e deri në të njëjtën periudhë të këtij viti janë sekuestruar 12.8 tonë kanabis i tharë dhe i përpunuar, 300 kilogramë heroinë e pastër, 125 kilogramë kokainë, 55.470 rrënjë kanabis (me peshë të paspecifikuar),si dhe 76.357 doza ekstazi.

Vlen të përmendet se në trafikimin e sasive të kanabisit dhe heroinës, anëtarët e organizatave dhe shumica e trafikantëve janë shtetas shqiptarë, ndërsa kokaina dhe ekstazia trafikohen prej grekëve.

Por kjo është vetëm sasia e kapur prej policisë helene, ndërsa sasia e lëndëve narkotike të kapura brenda një viti edhe prej Rojes Bregdetare, e shton atë edhe me disa tonë. Për këtë sasi të sekuestruar në më shumë se 12.333 raste të trafikimit në vend janë arrestuar 16.042 persona, ndaj të cilëve ka filluar procedimi penal nën akuzat e trafikimit dhe përdorimit të narkotikëve. Vetëm për dy muajt e parë të këtij viti, policia greke deklaroi se ka sekuestruar 3 tonë kanabis dhe 106 kilogramë heroinë.