Gratë opozitare: Metodat shtypëse nuk na zmbrapsin

Gratë opozitare: Metodat shtypëse nuk na zmbrapsin

Gratë e opozitare thonë se metodat shtypëse të pushtetit “nuk do t’na mbrapsin si gra, si opozitare, si pjesë të barabarta të kësaj shoqërie”.

Kështu kanë deklaruar gratë e opozitës përmes një kumtese të lëshuara për shtyp. Sipas tyre arrestimi i deputeteve të kuvendit tregon nivelin e presionit që po ushtron ky pushtet dhe kjo qeveri ndaj fjalës së lirë.

“Për ne, si gra aktiviste të subjekteve opozitare, një presion i dyfishtë është prangosja e deputeteve Shqipe Pantina, Donika Kadaj Bujupi, Teutë Haxhiu dhe Besa Baftiu, me urdhër direkt nga Qeveria. Si të mos mjaftonte diskriminimi gjinor që rrjedh nga disproporcioni i përfaqësimit të gruas në Qeveri e në të gjitha nivelet e punësimit e të angazhimit, sot u ballafaquam edhe me brutalitetin e truprojave, të cilët as që duhet të ishin aty në atë sallë”, thuhet në kumtesën e grave të opozitës.

Përveç tjerash edhe keqtrajtimi i deputetes Albulena Haxhiu tregon se kjo qeveri nuk e ka problem të sulmojë djemtë e vajzat që e mendojnë dhe veprojnë në të mirën e vendit.

“Për më shumë, keqtrajtimi dhe përplasja e deputetes Albulena Haxhiu në pllaka të mermerit, na la të kuptojmë se kjo Qeveri që bën kompromise me trupin e Kosovës, nuk e ka problem të sulmojë fizikisht edhe gratë e burrat që mendojnë e veprojnë në mbrojtje të vendit tonë”, thuhet më tej në njoftim.

Të premten përveç lëndimeve që pësuan disa deputete, pati edhe arrestime ndaj deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.