Graçanica sfidon shtetin e Kosovës, paguan anëtarë të strukturave paralele

Kosova vazhdon të sfidohet nga struktura paralele serbe vetëm pak kilometra larg kryeqytetit. Komuna e Graçanicës vazhdon të paguaj tetë anëtarë të strukturave paralele. Mbikëqyrëse qeveritare e komunave është Ministria e Pushtetit Lokal, por zëvendësministri Gecaj thotë se kjo çështje nuk bie në domenin e kësaj ministrie.

Graçanica sfidon shtetin e Kosovës, paguan anëtarë të strukturave paralele

Në fillim të qershorit, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi Komunën e Graçanicës, e cila i kishte rezervuar atij një pritje përplot me flamuj e simbole të Serbisë.

Por, Mustafës nuk i bëri shumë përshtypje një gjë e tillë. Tha se në komunën që ndodhet vetëm pak kilometra nga Prishtina ndodhet si kryeministër i Kosovës dhe u zotua se do të vazhdojë të ndihmojë banorët  që janë shumicë serbe.

Megjithatë, në komunën ku Mustafa ndihet kryeministër, vazhdon të operojnë të ashtuquajturat “struktura paralele” të Serbisë, të cilat vazhdojnë të sfidojnë shtetin e Kosovës.

Në të gjeturat e fundit të Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës thuhet se tetë punëtor të cilët punojnë në një shtëpi shëndeti, paguhen nga programi i shëndetësisë i buxhetit komunal, por e njëjta shtëpi shëndeti nuk menaxhohet nga komuna, por nga strukturat paralele serbe.

Shuma e pagave të tyre për vitin 2015 ishte afër 35 mijë euro, thuhet në raportin e auditorit.

Fatmir Sheholli, këshilltar për media i kryetarit të Komunës së Graçanicës, i ka thënë Insajderit se të gjitha shtëpitë e shëndetit që gjenden në territorin e Komunës së Graçanicës nënkuptohet se janë pjesë e Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se në këto shtëpi shëndeti ofrohen shërbime për të gjithë pacientët, pavarësisht nacionalitetit të tyre.

Por, i pyetur nëse mjetet e komunës investohen tek një institucion i cili kontrollohet nga struktura paralele – ashtu siç ka gjetur auditori – ai ka thënë se arsimi e shëndetësia “janë çështje të politikës së lartë”, duke iu referuar bisedimeve në mes të Kosovës e Serbisë në Bruksel.

“Pra, si Komunë e Graçanicës, në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës, nuk kemi të drejtë të përzihemi derisa kjo çështje nuk zgjidhet në dialog të Brukselit – siç janë çështjet e shëndetësisë dhe arsimit”, ka thënë ai.

“Por, kur të bëhet një zgjidhje në Bruksel, atëherë ashtu do të mbetet gjithmonë”, ka shtuar Sheholli.

Insajderi ka provuar të kontaktojë disa herë gjatë të martës me Ministren për Dialog, Edita Tahiri, për të marrë një koment lidhur me të gjeturat, por nuk ka qenë e mundur.

Tahiri udhëheqë ekipin e Kosovës në bisedime teknike me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por është ankuar disa here se Serbia nuk po i zbaton në tërësi marrëveshjet e arritura.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj – ministri kjo e cila ka për mision avancimi i qeverisjes lokale në bashkëpunim me strukturat e zgjedhura dhe zyrtarët komunal për të siguruar shërbime efektive në raport me qytetarë – ka thënë se kjo nuk bije në domenin e ministrisë së tij.  Ai ka kërkuar që të kërkohet sqarim tek organet e drejtësisë.

“Ju lutem, për këtë çështje bisedoni me Prokurorinë e Shtetit,” ka sugjeruar Gecaj, i cili është edhe këshilltar i kryeministrit Mustafa.

Kosova e Serbia janë të përfshira tash e disa vite në një dialog për normalizimin e marrëdhënieve mes vete.  Megjithatë, hulumtime të ndryshme kanë gjetur se fare pak marrëveshje të nënshkruara deri më tani janë duke u realizuar në praktikë.

Rasti i fundit ka të bëjë me lirimin për qarkullim të lirë të urës mbi lumin Ibër. Sipas një marrëveshje të arritur më herët, kjo urë do të lirohej nga mesi i qershorit për kalim, por deri më tani nuk ka ndodhur.  Komuna e Mitrovicës Veriore nuk pajtohet me kufirin administrativ me komunën e Mitrovicës së Jugut andaj çështja kë mbetur pezull ende.

Dialogu Kosovë-Serbi, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka qenë i domosdoshëm për Serbinë për të çuar përpara integrimin drejt BE-së.  Por, edhe analistë të ndryshëm në Kosovë thonë se dialogu ka ndihmuar edhe Kosovën në perspektiven e saj evropiane, më konkretisht për nënshkrimin e marrëveshjes së parë kontraktuake me BE-në, atë të MSA-së./Insajderi.com