Grabovcit i lexohen në gjykatë sms-të gjatë kohës sa ishte zv/ministër

Grabovcit i lexohen në gjykatë sms-të gjatë kohës sa ishte zv/ministër

Në seancën gjyqësore të MTPT ndaj Fatmir Limajt dhe të akuzuarve tjerë, ku po dëshmon Adem Grabovci, këtij të fundit janë duke iu lexuar disa SMS të cilat i posedon Prokuroria, që janë dërguar në numrin e Grabovcit derisa ishte zëvendësministër i Ministrisë së Transportit.

Grabovci ka mohuar se ka ofruar favore të ndryshme sa mbante pozitë, në këmbim të votës për PDK-në dhe thotë se në numrin e tij janë dërguar SMS të ndryshëm, pasi numri i tij ka qenë publik. Madje ai thotë se ka pasur edhe mesazhe kërcënuese, por që kurrë nuk është marrë me to, raporton Gazeta Express.

“Një katund po i kthejë në PDK për 600 metra asfalt. Rexha”, ka qenë një nga mesazhet që ka lexuar prokurori, por që Grabovci është përgjigjur se nuk e di se kush e ka poseduar këtë numër.

“Nja 50 vetë me emrin Rexha i njoh”, i është përgjigjur Grabovci prokurorit, kur u pyet nëse e di për cilin Rexhë bëhet fjalë.

Deputeti i PDK-së ka siguruar se kurrë nuk ka kryer favore në këmbim të votës, duke thënë se kjo mund të dëshmohet me atë se ai s’i ka kthyer kurrë përgjigje këtyre mesazheve.

“Zoti zëvendësministër janë anëtarësuar në PDK një familje 10 anëtaresh nga Kosharja. Po premtojmë se edhe 46 familje tjera anëtarësohen nëse ua shtron nja 5 km rrugë. Beqa”, është përmbajtja e mesazhit tjetër që e ka lexuar prokurori.

Adem Grabovci është dëshmitar në rastin e njohur si MTPT, ku Fatmir Limaj po akuzohet lidhur me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në komunën e Gjilanit./GazetaExpress/