Grabovci merret në pyetje nga Prokuroria

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci duhet të shkojë më 14 shtator në Prokurorinë e Shtetit për t’u intervistuar nga prokurorët Drita Hajdari, Elez Blakaj dhe Lulzim Sylejmani, të cilët po merren me rastin e përgjimeve ndaj tij, të publikuara nga Gazeta Insajderi.

Grabovci merret në pyetje nga Prokuroria

Avokati i Grabovcit, Florent Latifaj, ka thënë se do të bëjnë kërkesë për t’u shtyrë intervistimi pasi atë ditë është i zënë me lëndë të tjera.

“Ftesën e kemi marrë por do të bëj kërkesë për të shtyrë intervisitimi. Atë ditë jam i zënë”, ka thënë Latifaj, për Express.

Prokurorët special, Drita Hajdari dhe prokurori Elez Blakaj, së bashku me prokurorin e Shtetit, Lulzim Sylejmani do ta intervistojnë të mërkurën Adem Grabovcin si të dyshuar në aferën e përgjimeve telefonike, e njohur si “Dosja e Shefave”, të cilat i ka publikuar në seri Insajderi.

Kjo treshe e prokurorëve i ka dërguar ftesën Grabovcit që të shkojë në Prokurori më 14 shtator të këtij viti për t’u rrëfyer për përgjimet që e ndërlidhin atë me ushtrim të ndikimit më rastin e punësimit të militantëve të PDK-së nëpër pozita publike.

Insajderi kishte publikuar i pari përgjimet e Grabovcit, duke treguar se si ky zyrtar i PDK-së kishte punësuar njerëz të vet në Policinë e Kosovës, zgjedh prokurorë e gjyqtarë. Mes tyre, Sali Mekajn e bën kryetar të Gjykatës së Apelit, Sylë Hoxhën e bën kryeprokuror të Prizrenit. Kërkesa të shumta për ta takuar Grabovcin bën Haxhi Dërguti, atë kohë prokuror në Prokurorinë e Qarkut të Prishtinës. Aktualisht, Dërguti është kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit.