Grabovci merr në thua pas ballafaqimit me prokurorët

14.09.2016 16:50
Grabovci merr në thua pas ballafaqimit me prokurorët

Adem Grabovci ka marrë në thua të mërkurën paradite. Për pak është rrëzuar pas ballafaqimit me ekipin e prokurorëve të drejtuar nga Drita Hajdari.

Grabovci ka qenë i ftuar për t’u marrë në pyetje lidhur me hetimet kundër tij që kanë nisur pas publikimit të përgjimeve nga Insajderi. Ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e Prokurorisë lidhur me veprimet e tij inkriminuese gjatë viteve 2011-2012.

I dyshuari për cenim të të drejtave të barabarta të qytetarëve të Kosovës dhe shpërdorim të pozitës zyrtare, është përpjekur ta mbulojë stresin me batuta, gjatë përballjes me pyetjet e gazetarëve.

“Kam ardhë me i emëru do prokurorë”, ka thënë ai teksa i dridhej zëri.

Në fakt, Grabovci në Prokurori ka qenë i ftuar pikërisht për veprime që janë emërimet e zyrtarëve, drejtorëve e anëtarëve të bordeve. Veprimet e tij janë bërë bazë për nise të hetimeve penale.

Grabovci, është larguar nga hyrja e Prokurorisë, duke e autorizuar avokatin e tij që të flasë për rastin.

E, avokati Florent Latifaj, ka thënë se Grabovci ka kërkuar sqarime se pse nuk janë shkatërruar përgjimet sic parashihet me ligj.

Latifaj ka deklaruar se klienti i tij ka folur për punën e tij dhe të dhënat personale, por nuk është pyetur për veprimet që dëshmohen në përgjime, ka refuzuar të flas.

“Nuk mundemi me u përgjigj për diçka që nuk mundet me u konsideru provë në procedurë penale. S’munden me u përdorë si provë, sipas neve. Prokuroria mundet me mendu ndryshe”, ka thënë Latifaj.

Ai ka thënë se i është drejtuar dy herë EULEX-it por nuk kanë marrë përgjigje.

“Ne do të kërkojmë edhe një herë pastaj do t`i drejtohemi gjyqtarit të procedurës paraprake që të marrë vendim se a munden këto përgjime me shërby ende apo duhet me u asgjësu”, ka insistuar ai.

Prokuroria nga ana tjetër thotë se hetimet kundër Grabovcit do të vazhdojnë, pavarësisht refuzimit të tij për t’u deklaruar. Kanë thënë se hetimet pritet që së shpejti të zgjerohen edhe kundër personave tjerë të cilët tashmë i kanë identifikuar.

“Ju informoj se në seancën e sotme Adem Grabovci ka deklaruar që nuk do të deklarohet për veprat penale për të cilat ngarkohet derisa nuk merr përgjigje nga EULEX-i se përse nuk janë shkatërruar përgjimet kundër tij”, ka thënë Liridona Kozmaqi, zëdhënëse e Prokurorisë së Shtetit.

Kozmaqi ka thënë se prokurorët e rastit e kanë njoftuar Grabovcin se kjo konsiderohet si mbrojtje në heshtje dhe se pavarësisht nga qëndrimi i tij, hetimi kundër do të vazhdojë.

Prokuroria ka thënë se përgjimet janë të ligjshme sepse janë nxjerr me vendim të Gjykatës.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka siguruar Urdhrat gjyqësore në bazë të cilëve janë bërë përgjimet. Ka siguruar CD- të e përgjimeve dhe transkriptet e tyre dhe pasi që është siguruar se këto përgjime janë ligjore dhe se nuk kanë qenë të përfshira në rastin e ashtuquajtur ‘MTPT’ ka marrë aktvendim për fillimin e hetimit kundër Adem Grabovcit për dy vepra penale”, ka sqaruar Grabovci.

Kësisoj, Prokuroria ka hedhur poshtë pretendimet e Grabovcit.

Prokuroria ka thënë se është duke punuar për identifikimin e personave të tjerë të involvuar në kryerjen e veprave penale.

Nëse Adem Grabovci nuk paraqitet të mërkurën në Prokurori në ora 10: 00, atëherë Prokuroria pritet të urdhërojë sjelljen me forcë për ta marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit.

Grabovci po hetimet për vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës zyrtare gjatë viteve 2011-2012. Hetimi ka nisur 26 ditë pas nisjes së publikimit të përgjimeve nga Insajderi të Adem Grabovcit, me zyrtarët tjerë të lartë shtetëror e partiak, përfshirë presidentin Hashim Thaçi.

Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se vendimi për hetim është bazuar në ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se  i pandehuri Adem Grabovci, si person zyrtar, deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të PDK-së, gjatë vitit 2011 e tutje, ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar për ta siguruar pushtetin politik dhe ndikimin mbi procesin e vendimmarrjes brenda institucioneve, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka thënë se sipas njohurive të deritanishme të Prokurorit të Shtetit, Grabovci, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo persona të tjerë, me dashje ka shkelur ligjet dhe procedurat e punësimit dhe përzgjedhjes së drejtorëve dhe anëtarëve të trupave menaxhuese të ndërmarrjeve publike, të agjencive të pavarura dhe institucioneve të tjera, duke siguruar në këtë mënyrë punësimin kundërligjor për një numër të caktuar të personave.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, po ashtu, ka dyshim të arsyeshëm se Grabovci, me veprimet e përshkruara më lartë, gjatë vitit 2011 e tutje, në mënyrë të kundërligjshme ka mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve tjerë të vendit për punësim dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera pozitive, u ka dhënë përparësi personave të favorizuar mbi bazat e përkatësisë së tyre politike gjatë punësimit nëpër institucionet publike të Republikës së Kosovës./Insajderi.com

Suspendohen tre policë që nuk e kontrolluan veturën e Adem Grabovcit