Google Allo, 1 milion shkarkime në vetëm 3 ditë

27.09.2016 14:24
Google Allo, 1 milion shkarkime në vetëm 3 ditë

Google ka luksin të eksperimentojë me ‘start up’ e veta dhe në të shkuarën ka dështuar disa herë, ku rasti më i bujshëm është ai i Google Plus, i konceptuar disa vite më parë si një rrjet social për të rivalizuar Facebook, por që dështoi me sukses në misionin e vet.

Por duket se nuk është ky rasti i “Allo”, aplikacionit të hedhur në treg vetëm 3 ditë më parë nga kompania amerikane.

Në vetëm tre ditë aplikacioni më i ri i komunikimit të mesazheve dhe fotove, është shkarkuar mbi një milionë herë në Play Store. Vetë kompania amerikane ka konfirmuar këto shifra për publikun.

Shifrat e shkarkimit konfirmojnë se pak përdorues janë shqetësuar nga çështja e privatësisë, për të cilën Google u akuzua më herët se po shkelte premtimin e bërë në muajin maj, atëherë kur prezantoi aplikacionin.

Në atë atë kohë, kompania tha se përkohësisht do të ruante të dhënat në serverat e saj, por duke garantuar se në to nuk do të kenë akses as autoritetet amerikane apo kushdo tjetër.

Masa e përkohshme, argumentonte Google do të qëndrojë për të ndihmuar në përmirësimin e aplikacionit dhe më pas nuk do të ruhet më asgjë në servera.

Por Google jo vetëm që ruan ende në serverat e saj bisedat mes përdoruesve të aplikacionit, por regjistron edhe të dhëna të tjera të ndjeshme të privatësisë. Këtë e ka zbuluar forumi teknologjik “The Verge”.

Google heshti fillimisht ndaj lajmit në fjalë, por më pas e pranoi këtë dhe bëri një hap pas duke përditësuar aplikacionin dhe duke u mundësuar vetë përdoruesve që të zgjedhin se çfarë informacionesh dëshirojnë të ndajnë me serverat e Google.