Pse Golovkin dhe Alvarez kërkojnë revanshin?

Pse Golovkin dhe Alvarez kërkojnë revanshin?

Nuk ka fitues në përballjen e madhe të peshave të mesme në boks mes Gennady Golovkin dhe Saul “Canelo” Alvarez, me kazakun që mban titujt kampionë bote të kategorive WBA, WBC dhe IBF.

Sfida e zhvilluar mëngjesin e sotëm në Las Vegas përfundoi në barazim: Një gjyqtar dha pikët 118-110 për Alvarez, njëri 115-113 për Golovkin dhe njëri 114-114. Kjo ka lënë të pakënaqur shumë nga fansat, që në ato momente vërshëllyen, pasi donin të shihnin një fitues në ring.

Por të mërzitur kanë mbetur edhe dy boksierët, që pas përballjes kanë rënë dakord verdalisht që të zhvillojnë edhe një sfidë të dytë mes tyre, për të nxjerrë më të mirin.

Për Golovkin, që në karrierën e tij numëron 37 fitore dhe asnjë humbje, kjo ishte ndalesa e parë, një barazim, që i jep mundësi të mbajë titujt. “Sigurisht që e dua revanshin. Sfida e sotme ishte një dramë dhe nuk ka dyshim që synoj të përballem sërish me Canelo. Por me një kusht, që gjyqtarët këtë herë të jenë neutralë”, tha Golovkin, që mbeti i pakënaqur nga vendimi i gjyqtarëve, pasi synonte fitoren. Më tej, kazaku shtoi: “Për mua nuk ka rëndësi rivali, unë dua të ngjitem sa më shpejt në ring. Unë e meritoja fitoren, nuk e prisja këtë rezultat nga gjyqtarët. Ndaj revanshi do të thotë të vërtetën”, u shpreh Gennady Golovkin.

Të njëjtën kërkesë për revansh ka bërë pas përballjes së mbyllur në barazim edhe meksikani “Canelo” Alvarez, që në stadiumin “T-Mobile Arena” kishte më shumë fansa se rivali i tij. Alvarez ka dueluar më shpesh në këtë stadium dhe gjatë duelit u dëgjuan disa herë thirrjet “Alvarez, Alvarez”, por fansat e tij mbetën të pakënaqur. “Më vjen keq që u mbyll kështu, por natyrisht që do të zhvillojmë revanshin. Isha përgatitur për fitore dhe nuk e prisja këtë vendim të gjyqtarëve. Zhvillova një duel të mirë dhe besoj se e meritoja fitoren dhe titujt kampionë”, deklaroi “Canelo” Alvarez për duelit, ku korri barazimin e dyët në karrierë (ka edhe 49 fitore e 1 humbje).