Goditja e vëllezërve Buja ndaj partisë që dikur u mundësonte poste të larta

18.08.2017 17:03
Goditja e vëllezërve Buja ndaj partisë që dikur u mundësonte poste të larta

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë një goditje në Komunën e Lipjanit vetëm pak muaj para zgjedhjeve lokale. Dy politikanët me ndikim të kësaj komune kanë braktisur partinë, për të cilën thonë se është duke degraduar në vazhdimësi.

Vëllezërit Ramë dhe Shukri Buja, të cilët për shumë vite kanë mbajtur pozita të larta shtetërore si pjesë e PDK-së, kanë vendosur të largohen nga partia e drejtuar nga Kadri Veseli.

Shukri Buja, ish-deputet dhe kryetar i Lipjanit, ka zgjedhur të vazhdojë aktivitetin tek Nisma për Kosovën, parti që ishte formuar pikërisht nga ish-drejtuesit e lartë të PDK-së, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj. Nisma ka mbledhur afër vetes një numër të ish-anëtarëve të PDK-së, dhe në zgjedhjet e fundit është rritur për një deputet në Kuvendin e Kosovës, me gjithsej shtatë deputetë.

Ai ka qenë kritik ndaj vendimit të ish-partisë për t’ia dhënë postin e kryeministrit kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe e sheh pikërisht këtë lëvizje si arsye për rënien e PDK-së në zgjedhjet e 11 qershorit.

Në anën tjetër, vëllai i tij, Rama, zyrtarizoi dorëheqjen të premten, duke thënë se në PDK është duke ndodhur degradim “që do ta trazojë e çorientojë akoma më shumë këtë subjekt politik”. Dorëheqja e tij vije vetëm dy ditë pas largimit të vëllait të tij.

Rrjedhimisht, PDK ka mbetur pa mbështetjen e tyre vetëm pak kohë para zgjedhjeve të 22 tetorit, dhe Shukri Buja tashmë e ka bërë të qartë se PDK është e kaluar dhe nuk dëshiron të merret me të. I pyetur nëse ardhja e Kadri Veselit në krye të partisë  shkaktoi rënien në zgjedhjet e fundit, ai shkurtimisht thotë se kjo është çështje e brendshme e tyre.

“Nuk dëshiroj të merrem me PDK-në, sepse kjo është çështje e tyre. Normalisht ajo duhet ta analizojë këtë, por nuk e ka bërë këtë”, ka thënë ai.

Megjithatë, para se të braktistin partinë, ata kanë mbetur pa postet e rëndësishme që dikur i mbanin. Ramë Buja nuk ishte përfshirë në kabinetin qeverisës në mandatin e fundit, kurse Shukri Buja as nuk ka qenë kandidat i PDK-së për zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Pozitat e larta që ua mundësoi PDK-ja ndër vite

Historia e bashkëpunimit të vëllezërve Buja me PDK-në ka filluar para shumë viteve. Ramë Buja, ish-pjesëtar i UCK-së, që kishte marrë pjesë edhe në Konferencën e Rambujesë, ishte bërë Ministër qysh në vitin 1999, në Qeverinë e Përkohshme, që udhëhiqej nga ish-kryetari i partisë, Hashim Thaçi.

Nga prilli i vitit 1999 deri në prill të vitit 2000, ai shërbeu si ministër i i Qeverisjes Lokale.

Buja, që ka doktoraturë në Shkencat Politike, ka qenë edhe deputet i PDK-së, dhe në legjislaturën e tretë të Kuvendit ka mbajtur pozitën e shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Poashtu, ai ka qenë edhe Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Në anën tjetër, edhe karriera politike e Shukri Bujës tek PDK ka filluar shumë herët.

Në vitin 2005 ai ishte zgjedhur kryetar dege në Lipjan, për t’u bërë më vonë kryetar i Komunës në dy mandate: nga viti 2007 deri në vitin 2013, kur në Lipjan fitoi Lidhja Demokratike e Kosovës me Imri Ahmetin.

Në vitin 2014, Shukri Buja arriti të mbledhë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së.

Ai ka qenë edhe në kryesinë e PDK-së, që për disa vite ka qenë partia më e madhe në vend.

I akuzuari për korrupsion i bashkohet partisë që udhëhiqet nga një i akuzuar tjetër

Aktualisht, Shukri Buja, ka probleme me drejtësinë. Ai akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se gjatë kohës sa ka qenë kryetar i Komunës së Lipjanit ka favorizuar një biznesmen.

Insajderi ka raportuar në fillim të këtij viti rreth një trualli në Komunën e Lipjanit, e cila paraprakisht ishte destinuar pronë si industriale, para se të ndërrohej plani urbanistik nga Komuna, për t’ia mundësuar një biznesmeni, Fahri Retkocerit, të ndërtojë një objekt në atë lokacion.

Biznesmeni dëshironte që të ndërtonte objekt të banimit kolektiv në vendin e quajtur “Rupçinë”, në sipërfaqe prej 8 mijë e 437 metrave katror, raporton Insajderi.

Komuna e Lipjanit, e cila asokohe udhëhiqej nga Buja, fillimisht refuzo kërkesën e biznesmenit duke thënë se “Plani zhvillimor komunal ka mospërshtatje me destinimin” dhe se “Rishqyrtimi i zonës apo revidimit të një zone mund të bëhet vetëm me pëlqimin dhe kërkesën e komplet zonës”.

Mirëpo, një vit më vonë, Komuna vendosi që të ndryshonte planin zhvillimor urban të qytetit. Përmes një aktvendimi të datës 3 tetor 2011, Komuna vendosi që t’i jap dritë të gjelbër kërkesës së Retkocerit për ndërtimin e të njëjtit objekt banesor.

E përbashkëta e tij tjetër me kryetarin e partisë së tij të re, Fatmir Limaj, – përveç faktit që kanë qenë së bashku në PDK – është se që të dy kanë problem me ligjin.

Edhe Fatmir Limaj vazhdon përballjen me drejtësinë për keqpërdorime të supozuara që kanë ndodhur gjatë kohës sa ai ka qenë Ministër i Transportit.

Përplasja e Bujës me Grabovcin  për të “sistemuar” njerëzëit në pozita

Tashmë ish-zyrtari i lartë i PDK-së, Ramë Buja, kishte pasur një përplasje më herët me ish-shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

Mosmarrëveshja mes tyre kishte të bëjë me sistemimin e njerëzve të tyre në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Insajderi kishte publikuar vitin e kaluar një përgjim telefonik në mes të dy palvë, ku dëgjohen edhe fyerje mes tyre.

Buja, atëkohë ministër i Arsimit e kishte shpallur një konkurs formal për mikun e tij, Fatmir Arifi, derisa Grabovci, shef i Grupit Parlamentar në PDK, donte që në këtë pozitë të vendosej, Ramadan Gashi, ish – kryetar i Komunës së Skenderajt.

Kjo përplasje për interesa të dy krerëve të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës dëshmohet nga dy përgjime telefonike të kryera në nëntor të vitit 2011, të cilat i sjell Insajderi në kuadër të hulumtimit “Dosja e Shefave”.

“Adem… po ta them mënyrën ma të qetë të mundshme, pa hiç hajgare, unë e lëshoj venin, ja lëshoj Ramdan Gashit, po mu bo poçaver, e me lujtë koqe, nuk ka mundësi me ndodhë”, i thotë Buja Grabovcit në një telefonatë të shkurtër./Insajderi.com