“Goditën xhamin me kallashnikov dhe donin para” – tentohet të plaçkitet mërgimtari

“Goditën xhamin me kallashnikov dhe donin para” – tentohet të plaçkitet mërgimtari

Kastriot Bala nga fshati Koreticë e Epërme, në Komunën e Drenasit, erdhi nga Gjermania në Kosovë të hënën në mëngjes. Por, për dallim nga herët e tjera, atij i ndodhi diçka e pazakontë sapo kaloi kufirin në Merdarë.

“Ni kerr përmas meje qëndronte non-stop, pastaj hyri në tejkalim ai kerri dhe unë frenova e i rash sirenës”, thotë ai.

Bala tregon se personat që e ndaluan ishin të armatosur me armë të tipi Kallashnikov.

“Ishin dy persona me arma edhe bërtitshin ‘paret’. Unë i thash ‘nuk kam pare’ edhe i bishin xhamit me kallashnikov”, rrëfen mërgimtari për Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Pasi shpëtoi nga ndonjë incident i mundshëm, ai ka lajmëruar Policinë e Kosovës dhe i ka shpjeguar rastin.

“Ju konfirmoj se me datë 25.06.2017 rreth orës 01:49, Policia ka pranuar informacionin se në fshatin Prugovc ka ndodhur një grabitje në tentativë. Dyshohet se personat e përfshirë e kanë përcjell viktimën përgjatë aksit të rrugës dhe duke tentuar t’i bllokojnë rrugën me automjet dhe nën kërcënimin e armës kanë tentuar ta grabisin”, ka thënë Policia. /Insajderi.com