Gjysmë milionë euro pasuri të trashëguara të deputetit të PDK-së

Gjysmë milionë euro pasuri të trashëguara të deputetit të PDK-së

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Bislim Zogaj, i cili është edhe deputet nga radhët e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës nuk mund të ankohet tek familjarët e tij për pasurinë e trashëguar.

Pasuria e paluajtshme që Zogaj ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit është afër gjysmë milionë euro, e që të gjitha ai ka deklaruar se i ka të trashëguara nga familja e tij.

Zogaj ka deklaruar se ka shtëpi në vlerë prej 100 mijë euro, oborr në vlerë prej 45 mijë eurove dhe ndërtesë në vlerë prej 20 mijë euro. Të gjitha këto, Zogaj thotë se i ka të trashëguara nga familja në vitin 2002.

Viti 2002 ishte fatlum për Zogajn, teksa ai nga familja e tij trashëgojë edhe një lokal afarist në vlerë prej 60 mijë eurove, raporton Insajderi.

Bislim Zogaj në vitin 2013 kishte marrë dy donacione nga vëllai i tij: banesë me 136 metër katror që vlera e saj cilësohet 129 mijë e 670 euro, ndërsa donacionin e dytë nga vëllai i tij. Me këtë donacion të dytë, Zogaj ka deklaruar se iu trashëguan edhe dy vend-parkime. Vlera e tyre cilësohet të jetë 12 mijë euro.

Zogaj si pasuri të paluajtshme ka edhe një shtëpi në vlerë të 83 mijë eurove që është emër të bashkëshortes së tij. Ai, në sqarimin e tij për prejardhjen e pasurisë së kësaj shtëpie ka thënë se vjen nga kursimet, ndihma familjare dhe huazimet.

Zogaj të hyra vjetore merr nga Kuvendi i Kosovës (20 mijë e 393 euro), NLB Prishtina (1 mijë e 597 euro), Pensioni Invalidor (2 mijë e 700 euro) dhe PTK (1 mijë e 786 euro). /Insajderi.com