Gjyqtari i ndeshjes Barca-PSG nuk pezullohet, thotë UEFA

Gjyqtari i ndeshjes Barca-PSG nuk pezullohet, thotë UEFA

Presidenti UEFA, Aleksander Ceferin, tha se arbitri i ndeshjes Barcelona-PSG 6-1, Deniz Aytekin, nuk do të pezullohet.

Pra, pavarësisht zërave mediatikë, që e konsideronin të “syrgjynosur”, i shumëkritikuari për punën e tij në sfidën e kthimit të Champions-it mes katalanasve dhe parizienëve, në “Camp Nou”, turko-gjermani nuk do të ndëshkohet.

“Ne nuk do ta pezullojmë gjyqtarin e kësaj ndeshjeje,” tha të mërkurën presidenti i UEFA-s.  “Kur diçka nuk shkon mirë, ne e diskutojmë, por nuk ka çështje për pezullim. Është sikur të pezullojmë, ose dëbojmë një lojtar, i cili humb një penallti. Ky lojtar vetëm shkon në stol ndeshjen e ardhshme, ose nuk preferohet më për të goditur penallti”.

PSG-ja i ka shkruar kohët e fundit presidentit dhe vetë UEFA-s, duke i parashtruar tetë rastet flagrante, që flasin për “një arbitrim të dështuar” nga Deniz Aytekin në Barcelonë, njofton telesport.

Në këtë letër, PSG-ja ka theksuar një seri gabimesh, ku arbitrimi ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes dhe eliminimin e skuadrës franceze nga Champions-i. Nasser Al-Khelaifi, presidenti i “Le Parisien”, ka thënë mbi këtë çështje: “Rezultati i kësaj ndeshjeje mund të kishte qenë i ndryshëm me një arbitrim më të hollë. Gjithkush i ka parë gabimet e kryesorit Deniz Aytekin.”/Insajderi.com