Gjyqtari i Eulex-it pretendon se Ligji për Trepçën është antikushtetues

Gjyqtari i Eulex-it pretendon se Ligji për Trepçën është antikushtetues

Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme ka bërë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të vlerësohet edhe një herë Ligji për Trepçën, pasi që pretendohet se ky ligj është antikushtetues.

Një gjyqtarë i EULEX-it, pjesë e kolegjit të Gjyqtarëve të kësaj gjykate, duke mbrojtur kërkesat e paditësit të ndërmarrjes Trepça, ka arritur në përfundim se ligji është antikushtetues për dy arsye, që sipas tij janë të bazuara në të drejtën që e garanton pronën.

“Së pari, ligji ka efektin e një shpronësimi pa kompensim në dëm të paditësit, i cili është një kreditor i Trepçës. Vlera e padisë së tij ndaj Trepçës është reduktuar në zero, pasi Trepça ka mbetur pa burime si dhe e mbingarkuar me borxhe”.

“Së dyti, shpronësimi i pjesshëm kryhet në dobi të personave privat pa ndonjë arsyetim”, shkruan në komunikatën e Dhomës së Posaçme.

Ligji për Ndërmarrjen Trepça është miratuar në muajin tetor nga Kuvendi i Kosovës, duke e shndërruar atë në Shoqëri Aksionare për ta shpëtuar nga likuidimi. Ndonëse atë e kundërshtuan deputet e Listës Serbe, të cilët kërkuan interpretim të vendimit nga Gjykata Kushtetuese.

Organi më i lartë juridik në vend, e hodhi poshtë kërkesën e Listës Serbe duke i hapur rrugë hyrjes në fuqi të Ligjit për Trepçën, i cili është nënshkruar para dy ditësh nga presidenti i vendit duke e bartur këtë ndërmarrje në pronësi të Qeverisë dhe punëtorëve. /Insajderi.com