Gjyqtarët e EULEX-it të pandehurve iu referohen si “kafshë”

Gjyqtarët e EULEX-it të pandehurve iu referohen si “kafshë”

Ditë më parë dha dorëheqje kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, duke akuzuar këtë mision për korrupsion dhe afera të tjera. Gazetari Burim Goxhuli ka siguruar dëshmi që ngjallin dyshime mbi misionin më të madh evropian në Kosovë.

Në disa komunikime me e-mail të britanikut Malcolm Simmons me zyrtarë të lartë të BE-së, shpërfaqet mënyra e ndarjes së drejtësisë nga gjyqtarët e EULEX-it, të cilët të pandehurve në grupin “Drenica”, u referohen si kafshë.

Më tutje, Simmons ka thënë se verdiktet në rastet “Drenica” e “Kleçka”, kishin për qëllim vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd. Për më shumë ndjekim hulumtimin e emisionit “Udhëve”, i cili gjatë gjithë javës do të sjellë dëshmi të reja për këtë çështje.

Ish-Kryetari i trupit Gjykues të Misionit Evropian për Sundim të rendit dhe ligjit në Kosovë, Malcolm Simmons, qoi shumë pluhur me dorëheqjen e tij dhe akuzat e bëra ndaj EULEX-it.

Pretendimet e britanikut për afera korruptive brenda misionit më të madh evropian në Prishtinë, vënë pikëpyetje në paanshmërinë dhe kredibilitetin e EULEX-it sidomos në proceset gjyqësore.
Redaksia hulumtuese e emisionit Udhëve në RTK, ka arritur të siguroj prova ekskluzive, që dëshmojnë keqpërdorimet brenda këtij institucioni.

Një email që Simmons i ka dërguar më 2 Shtator 2017 Shefit të Operacioneve në Aftësinë e Planifikimit dhe Sjelljes Civile të Bashkimit Evropian, Kenneth Deane, janë dëshmi të joprofesionalizmit në ndarjen e drejtësisë së misionit të EULEX-it.

Përmbajtja e këtij emaili flet në veçanti për mënyrën se si është marrë vendim që të dënohen të akuzuarit në rastin Drenica 2.

Në veçanti, në këtë komunikim me email të Simmons me Keneth Deane, hedhen akuza të rënda në adresë të gjykatësit kryesor në rastin Drenica 2, Dariusz Sielicki. Britaniku i ka raportuar zyrtarit të lartë të BE-së, për qasjen fyese e diskriminuese që gjyqtari kryesor kishte ndaj të pandehurve në rastin Drenica 2. Sipas emailit të siguruar nga RTK, ai kishte qëllim dënimin e këtij grupi duke synuar avancim në pozitën e tij.

“Në fillim të procesit gjyqësor të Drenicës 2, gjykatësi kryesues i referohej të pandehurve ‘kafshë’ si e natyrshme tek shqiptarët. Ai tha: “Nëse dënoj të pandehurit, unë mund të gjej punë kudo në BE.” – thuhet në emailin e Simmons dërguar zyrtarit të lartë BE-së.

Këto fakte nxjerrin në pah edhe një anë tjetër të vendimeve të gjyqtarëve të EULEX-it.

Simmons akuzon Misionin se po ndëshkon shqiptarët, për t’i bërë qejfin Serbisë e për të shtyrë përpara dialogun Prishtinë-Beograd.

“Rastet e Drenicës dhe të Kleçkës ishin jetike për dialogun Prishtinë-Beograd. U bë e qartë për mua nga menaxhmenti i misionit se këto raste ishin thelbësore për të siguruar angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë në këtë proces”, ka thënë ai.

Kjo nuk është akuza e vetme e drejtuar nga Malcolm Simmons drejtë gjyqtarit Dariusz Sielicki dhe EULEX-it. Ai hedhë pretendime se gjyqtari polak, në bashkëpunim me zyrtarë të lartë të menaxhmentit, ka ndikuar që pjesë e panelit gjyqësor në rastin Drenica 2, të jetë gjyqtarja Anna Admaska Gallant, po ashtu polake, për të cilën edhe më herët janë hedhur dyshime se ka një aferë me Sielickin. Përfshirja e saj në këtë rast, sipas e-mailit të Simmons, shihet si sigurim i dënimit për të pandehurit në këtë rast që konkretisht Sylejman Selimi është dënuar me 7 vjet burgim, Isni Thaçi me 6 vjet e 6 muaj, Zeqir e Jahir Demaku me nga 6 vite burg, Agim, Driton, Bashkim e Selman Demaj me nga 3 vite, sa janë dënuar edhe Fadil e Nexhat Demaku.

A ISHTE EULEX MISION I KORRUPTUAR?

A ISHTE EULEX MISION I KORRUPTUAR?LAJMI NË KOMENT

Posted by RTK on Monday, 20 November 2017

“Gjyqtari kryesues në rastin Drenica 2, Dariusz Sielicki, ka komplotuar me menaxherët e lartë të misionit për të vënë gjyqtaren Anna Adamska si gjyqtaren e dytë të EULEX-it në trupin gjykues. Këtë e kam raportuar tek menaxhmenti i misionit. Menaxherët e misionit të lartë ishin të vetëdijshëm për marrëdhëniet midis këtyre dy gjyqtarëve të EULEX-it dhe për mënyrën se si ishte përfshirë ajo në kolegj. Unë u udhëzova të mos e vazhdoja këtë çështje më tej. Menaxhmenti i misionit ishte i bindur se me kryetarin e gjykatësve Sielicki (dhe gjyqtaren Adamska si anëtare të panelit) u sigurua një dënim.“ – shkruan në dokumentin e siguruar nga RTK.

Jo vetëm dy gjyqtarët e Drenicës 2, Dariusz Sielicki e Anna Adamska Gallant, vinin nga Polonia. Aktakuzat ishin ngritur nga prokurori Maurisio Salustro, por rastin e kishte vazhduar prokurori, Cezary Michalczuk, i cili po ashtu ishte polak.

Emisioni Udhëve në RTK, ka siguruar edhe një komunikim tjetër të gjyqtarit që dha dorëheqje së fundmi nga EULEX, Malcolm Simmons, me gjyqtarin tjetër të EULEX-it, Ksassimir Mazgalov. Këtu shihen pengesat që Simmons i ishin bërë për të sjellë prova të reja për keqpërdorimet në rastin Drenica 2, përpara trupit gjykues në Gjykatën Supreme. Nëse Simmonsit do ti ipej rasti të dëshmonte, shumë lehtë verdikti në rastin Drenica 2 mund të merrte kahje tjetër.

“Krasimir, unë jam i shqetësuar se çdo bisedë mes nesh do të shfyrtëzohet për interes të dikujt dhe subjekt i kritikave të mëvonshme.

Provat e mia do të merreshin me (a) parregullsi serioze në përbërjen e trupit gjykues, (b) manipulimin e përbërjes së trupit gjykues, (c) komentet e bëra nga kryetari i trupit gjykues që e vënë në dyshim paanshmërinë e tij dhe (d) komunikimin ndërmjet Kryetarit të trupit gjykues dhe avokatit mbrojtës.

Unë besoj se do të ishte në interes të drejtësisë që unë të dëshmoj tek këshilli mbrojtë që do të përdoret para Gjykatës Supreme.”

Në fakt, EULEX-i dhe Bashkimi Evropian në vend se të merr për bazë akuzat e hedhura nga Malcolm Simmons për të inicuar rast, ata kanë gozhduar me akuza të rënda britanikun.

“Përgjatë vitit të kaluar, Malcolm Simmons ka qenë objekt i disa hetimeve të pavarura në lidhje me disa pretendime të rënda kundër tij. Këto hetime janë duke u bërë nga një ekip, i cili është krijuar dhe që ndodhet në Bruksel, i kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, thuhet në deklaratën e EULEX-it.

Pas akuza që EULEX-i i bëri në adresë të tij, RTK ka arritur të siguroj një kundërpërgjigje të vet Simmons.

“Reagimi i Bashkimit Evropian ndaj akuzave të mia ishte I pritshëm. Në vend që të kërkojnë trajtimin e shqetësimeve që i kam ngritur, ata vazhdojnë të më sulmojnë.

BE-ja thotë se unë kam dështuar të bashkëpunoj në një hetim që ata ngritën për të shqyrtuar akuzat që bëra kundër misionit dhe Shërbimin e Veprimeve të Jashtme Evropiane.

Është e vërtetë që Shërbimin e Veprimeve të Jashtme Evropiane ka krijuar një ekip hetues të udhëhequr nga një ish-gjyqtar për të hetuar pretendimet e mia. Megjithatë, detyra e hetimit është përcaktuar nga një anëtar i stafit të Shërbimin e Veprimeve të Jashtme Evropiane, të cilin e kam akuzuar për keqadministrim dhe pengim të një hetimi. Këto akuza janë pjesë e ankesës sime. I njëjti anëtar i stafit të Shërbimin e Veprimeve të Jashtme Evropiane zgjodhi hetuesit (të cilët janë anëtarë të stafit të Shërbimin e Veprimeve të Jashtme Evropiane) dhe është për atë që ekipi hetues do të raportoj. A është ky një hetim I pavarur?

Ekipi I emisionit Udhëve, ka arritur të siguroj fakte edhe për raste tjera në të cilat gjyqtarë të EULEX-it kanë vënë drejtësi. Publikimi i tyre do të bëhet në një cikël hulumtimesh të cilat do të bëhen publike gjatë kësaj jave.