Gjyqësori në veri deri më 17 tetor integrohet në atë të Kosovës

31.08.2017 12:04
Gjyqësori në veri deri më 17 tetor integrohet në atë të Kosovës

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Europian, ka pritur sot në një takim presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiqin. Në këtë takim është diskutuar për Marrëveshjen e Drejtësisë.

Në komunikatën për media të Mogherinit, thuhet se takimi i sotëm është vazhdimësi i atij të 3 korrikut, në të cilin palët ishin pajtuar që të fillonin punën në fazën e re të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve, transmeton Koha.net.

“Dy palët janë pajtuar për hapat e fundit në implementimin e marrëveshjes për Drejtësi të arritur me dialogun e ndërmjetësuar të BE-së. Presidentët konfirmuar se marrëveshja do të implementohet plotësisht deri më 17 tetor 2017. Në këtë ditë, gjykatësit, prokurorët dhe stafi gjyqësor do të integrohen plotësisht në Gjyqësorin e Kosovës. Integrimi i personelit gjyqësor do të mundësojë që drejtësia të ndahet në gjithë Kosovën dhe, pjesërisht, në regjionin e Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e zyrës së Mogherinit.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, sipas këtij njoftimi, mirëpriti angazhimin e dy presidentëve në këtë proces. Ajo ka përsëritur qëndrimin se BE-ja dhe ajo personalisht janë të angazhuar plotësisht në perspektivën e Serbisë dhe Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe gjithë rajonit dhe se progresi nga dy palët lidhet ngushtë në dialog.

Dialogu pritet të vazhdojë gjatë javëve të ardhshme.