Gjykimi për korrupsion ia pamundësoi Limajt takimin me Hahn

Gjykimi për korrupsion ia pamundësoi Limajt takimin me Hahn

Në takimin që u bënë bashkë pozita dhe opozita i thirrur nga komisionari evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, vetëm Jakup Krasniqi nuk ishte kryetar partie.

Kadri Veseli kryetar i PDK-së, Isa Mustafa kryetar i LDK-së, Visar Ymeri kryetar i VV-së dhe Ramush Haradinaj kryetar i AAK-së janë ulur rreth tryezës në takim me Hahn, por kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj ka munguar.

Atë e ka zëvendësuar Krasniqi, pasi Limaj ka qenë i zënë duke dhënë llogari para drejtësisë për akuzat për korrupsion.

Bëhet fjalë për akuzat që rëndojnë mbi Limajn sa ka qenë ministër i Ministrisë së Transportit dhe Post Telekomunikacionit “MTPT”

Fatmir Limaj akuzohet për kryerjen e këtyre veprave penale: Krim i organizuar, Shpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit, Marrje e mitos dhe Mos deklarim i marrjes së parave të fushatës.

E njëra prej kërkesave të Hahn për politikanët kosovarë ka qenë lufta kundër korrupsionit.

Komisioneri i BE-së për Zgjerim gjithashtu u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike të Kosovës, që të bashkëpunojnë për të arritur perspektivën evropiane.

Ai pas takimit që pati në Prishtinë me krerët e partive parlamentare shqiptare nga pozita dhe opozita, ka kërkuar që kriteret për integrim, si dhe ato për liberalizim të vizave, të zgjidhën me një kompromis./Insajderi.com