Gjykimi i “Bosit të Drogës” dhe lidhjet e tij me Malin e Zi

01.11.2017 18:42
Gjykimi i “Bosit të Drogës” dhe lidhjet e tij me Malin e Zi

U bënë disa muaj që “Bosi i Drogës” është liruar nga masa e paraburgimit dhe tani po mbrohet në liri. Naser Kelmendi bashkë me 14 persona të tjerë akuzohen se kanë formuar dhe udhëhequr një grup kriminal dhe kanë vrarë kryegangsterin rival të tyre Ramiz Delaliq, të njohur si “Çelo”. Mirëpo, nofka “Bosi i Drogës” Kelmendit i mbeti për shkak se, pos vrasjes, akuzohet nga Prokuroria edhe për krim të organizuar dhe trafikim ndërkombëtar të drogës.

Naser Kelmendi akuzohet nga një prokuror special i EULEX-it se bashkë me Fahrudin Radoniçin, Ekrem Lekiqin, Milovan Jeremiqin, Muhamet Ali Gashin, “Çumen”, “Sandokanin”, Lubisha Buhan, Milan Ostojiqin, Naser Oriqin, Senad Sahinpasiqin, Nebojsha Vukomanoviq, Raseta Stranjan, Benjamin Halimoviq, Edin Ahmetshahiqin dhe të tjerë, kanë organizuar, mbikëqyrur dhe udhëhequr grupin kriminal dhe kanë marrë pjesë aktivisht në këtë grup për vrasjen e kryegangsterit rival Ramiz Delaliq ose të njohur si “Çelo”.

Gazeta Express ka përcjellë të mërkurën vazhdimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor kundër Naser Kelmendit, ku u fol për dëshmitë e dëshmitarëve të kaluar të këtij procesi gjyqësor, përfshirë edhe kërkesën që e ka parashtruar mbrojtja e Kelmendit, lidhur me sigurimin e disa informatave në Burgun e Bjelo Poljes, që ka të bëjë me kohën e qëndrimit të një personi që përmendet nga një dëshmitar i Prokurorisë, e që sipas dokumentacionit të mbrojtjes, nuk përputhet me kohën që dëshmitari thotë se ka qenë në Sarajevë.

Besnik Berisha, avokati i Naser Kelmendit, ka thënë se kërkesa e tyre ka qenë që të sigurohen disa informata nga Burgu në Bjelo Polje, kërkesë kjo e aprovuar nga gjykata qysh në herën e parë.

“…mirëpo, kërkesa për ndihmë juridike ndërkombëtare që kalon përmes Ministrisë së Drejtësisë tek Ministria e Drejtësisë së Malit të Zi, rezulton që duhet përsëritur sepse nga kërkesa e parë nuk është marrë përgjigje”, ka thënë avokati Berisha.

Kryetarja e trupit gjykues të përbërë nga EULEX, Anna Adamska – Gallant tha të mërkurën se gjykata do ta presë Malin e Zi për përgjigje, por nëse nuk ndodh kjo atëherë gjykata do ta mbështesë atë çfarë shkruan në aktgjykim.

Por, çka e lidh Naser Kelmendin me Malin e Zi?

Prokuroria dyshon se Naser Kelmendi i ka shpërlarë në disa shtete paratë e fituara nga tregtia me narkotikë, mes të cilave shtete është edhe Mali i Zi, duke investuar në patundshmëri dhe në firma të cilat nuk janë regjistruar me emrin e tij, por të miqve e bashkëpunëtorëve të afërm.

Në aktakuzë, gjithashtu thuhet se Kelmendi në bashkëkryerje me Liridon Kelmendin, Haris Mehanoviqin, Sead Akeljiqin, Zeljko Boziqin, Hakija Krilecin, Ilir Kastratin, Arsim Kalacin dhe të tjerë, kanë formuar, mbikëqyrur dhe udhëhequr këtë grup kriminal me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes së narkotikëve të rrezikshëm, si një sasi të madhe heroinë, ekstazi dhe spind.

Vrasja e Ramiz Delaliqit

Aktakuza thotë se më 27 qershor 2007 në Sarajevë, rreth orës 23:00, Strahinja Rasheta me ndihmën e Nebojsha Vukomanoviqit kanë qëlluar disa herë mbi Ramiz Delaliqin, duke përdorur armë të ndryshme zjarri, duke lënë të vdekur kryegangsterin rival të tyre. Aktakuza e prokurorit special sqaron këtë rast, duke treguar edhe nga sa para janë paguar vrasësit e lartpërmendur.

Strahinja Rasheta dhe bashkëpunëtori i tij, Nebojsha Vukomanoviq janë paguar të paktën 100 mijë euro nga Naser Kelmendi dhe grupi i tij kriminal. Kështu të paktën pretendon prokuroria, ku thotë se “vrasja është kryer edhe për hakmarrje për vrasjen e Selver Keliqit, për të cilin i pandehuri dhe grupi kriminal bënin fajtor Ramiz Delaliqin”.

Një vit para vrasjes së Delaliqit, në vitin 2006, Prokuroria pretendon se Naser Kelmendi ka bërë një numër takimesh me Fahredin Radoniçin, Ekrem Lekiqin, Muhamet Ali Gashin, Senad Sahipasiqin, Naser Oriqin dhe të tjerë, në Sarajevë. Prokuroria thotë se të lartpërmendurit kishin bërë komplotin për të vrarë kryegangsterin Ramiz Delaliq, e si rezultat i këtyre takimeve, tani i pandehuri Naser Kelmendi dhe grupi i tij kriminal kanë angazhuar me pagesë vrasësit e Delaliqit.

Naser Kelmendi u përcoll për disa vite dhe u arrestua në maj të vitit 2013, si dhe ndaj tij u ngrit aktakuzë për vrasje dhe trafikim me drogë në vitin 2014 nga Zyra e Prokurorit Special të Kosovës. Gjykimi është duke vazhduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe vlen të theksohet se Selja Turkoviq më 2015’ën ka dëshmuar se Naser Kelmendi dhe Fahrudin Radoniq dyshohet ta kenë vrarë Ramiz Delaliqin.