Gjykata Speciale pritet të ndjek zyrtarë të lartë të shtetit

Ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mund të akuzohen nga Gjykata Speciale, nuk pritet të dalin para drejtësisë deri kah fundi i këtij viti apo fillimi i vitit 2017. Kjo të paktën është konfirmuar nga kryeprokurori David Schwendiman, raporton RTV21.

Gjykata Speciale pritet të ndjek zyrtarë të lartë të shtetit

Aktualisht është hapur konkursi për të përzgjedhur prokurorë e gjykatës që do të punojnë në këtë gjykatë e të cilët do të merren me rastet e krimeve të pretenduara që kanë kryer ish-pjesëtarët e UÇK-së gjatë viteve 1998-2000.

Avokati Tahir Rrecaj, duke mos dashur të përmend emra, thotë se nuk përjashtohet mundësia që akuzat e para të ngrihen ndaj zyrtarëve të lartë të skenës politike në vend.

 Schwendiman ka thënë më parë se do të bisedojë me prokurorë të shteteve të rajonit, e edhe me ata serbë për të mbledhur informata në lidhje me dyshimet për krimet e kryera nga ish-ushtarët e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.

Mirëpo, avokati Tomë Gashi thotë se prokurorët serbë mund të ndikojnë në proceset gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Sipas dy avokatëve, të gjitha krimet e pretenduara që janë kryer gjatë luftës në Kosovë, do të duhej të trajtoheshin nga gjykatat e Kosovës.