Gjykata spanjolle heton Sirinë për krime lufte

28.03.2017 15:12
Gjykata spanjolle heton Sirinë për krime lufte

Një gjykatë në Spanjë urdhëroi hetimin e parë kriminal për veprimet e zyrtarëve të qeverisë siriane gjatë luftës civile në këtë vend.

Çështja përfshin një shtetase spanjolle të lindur në Siri, e cila tha se vëllai i saj ishte torturuar dhe ekzekutuar nga forcat e sigurisë siriane në vitin 2013.

Fotografitë që konfirmojnë vdekjen dhe torturimin e tij u nxorrën fshehurazi nga Siria nga një fotograf i mjekësisë ligjore.

Gjykatësi spanjoll Eloy Velasco vendosi se Spanja ka juridiksion që të hetojë akuzat ndaj 9 anëtarëve të forcave të sigurisë dhe të inteligjencës siriane të përmendur në çështjen ligjore.

Meqë Amal Hag Hamdo Anfalis, motra e viktimës ka nënshtetësi spanjolle dhe anëtarët e familjeve të atyre që vriten në krime ndërkombëtare mund të konsiderohen viktima, gjykatësi Velasco tha se Spanja mund t’i hetojë akuzat.

Nuk është  qartë se çfarë ndikimi do të ketë vendimi i gjykatës spanjolle dhe nëse hetimet do të kryhen, por ajo shënon një hap të parë në çështjen e krimeve të pretenduara në Siri gjatë luftës civile, njofton tch.

Siria nuk është pjesë e Gjykatës Ndërkombëtare Kriminale, por ajo mund ta trajtojë rastin, nëse i kërkohet nga OKB. Kjo zor se do të ndodhë, duke qenë se Rusia, anëtare me fuqi vetoje, nuk e ka lejuar më herët pavarësisht disa përpjekjeve.