Gjykata shpalli vendimin për ish-shefin e OShP-së

27.11.2017 14:01
Gjykata shpalli vendimin për ish-shefin e OShP-së

Ish-shefi i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha është shpallur i pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Nga akuza është liruar edhe Hysni Muhadri, ekspert i brendshëm shqyrtues në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe Arsim Robelli kontabilisti i kompanisë “Conex Group”, raporton KTV.

“Të pandehurit lirohen nga akuza sepse në shqyrtim kryesor nuk është provuar që është kryer vepra penale”, ka thënë kryetari i trupit gjykues Arben Hoti.

Ata kanë qenë të akuzuar për tenderin e ndërtimit të objekteve afariste në lagjen “Pejton” në Prishtinë. Ky nuk ka qenë rasti i vetëm që Hysni Hoxha është akuzuar nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës.

Vitin e kaluar Gjykata Themelore e dënoi me 3 vjet burgim për një tender në KOSST por këtë vit nga kjo akuzë e ka liruar Gjykata e Apelit.

Hoxha kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të OSHP-së, duke thënë se këtë po e bën për arsye shëndetësore.