Gjykata ka marrë vendim 8 vjet më parë për lirimin e pronave në “Dardani”

Gjykata Themelore e Prishtinës ka sqaruar vendimin mbi lirimin e pronave të uzurpuara në lagjen "Dardania" në Prishtinë, me ç'rast ka thënë se Gjykata e ka marrë këtë vendim 8 vjet më parë.

Gjykata ka marrë vendim 8 vjet më parë për lirimin e pronave në “Dardani”

Përmes një komunikate të lëshuar për medie, Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se kërkesa për ekzekutimin e aktgjykimit për këto prona është bërë në vitin 2008.

“Gjykata Themelore në Prishtinë rikujton edhe njëherë për opinionin se në datën 19.09.2016 është vepruar në ekzekutim të aktgjykimit të plotfuqishëm të gjykatës në lidhje me lirimin e pronave të uzurpuara. Gjykata ka kërkesë për ekzekutim të aktgjykimit të plotfuqishëm ( në këtë rast aktgjykimi C.nr.2137/05) i  cili ka formën e prerë që nga data  17.11.2008”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Gjykata ka thënë po ashtu se trajtimi i rastit të pronave të uzurpuara në lagjen “Dardania”, kishte filluar që nga viti 2005.

“Çështja për të cilën është vepruar dje, përkatësisht në datën 19.09.2016 në gjykata ka filluar të trajtohet që në vitin  2005”, thuhet në kumtesën e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Gjykata ka thënë se “të gjitha palët që ju takon ky vendim i plotfuqishëm kanë qenë në dijeni që nga viti 2008 se këto prona të uzurpuara duhet të lirohen”. /Insajderi.com