Gjykata Evropiane e Drejtësisë: Punëdhënësit mund ta ndalojnë shaminë në vendin e punës

Gjykata Evropiane e Drejtësisë: Punëdhënësit mund ta ndalojnë shaminë në vendin e punës

Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka vendosur se punëdhënësit kanë të drejtë që t’ua ndalojnë punëtorëve mbajtjen e simboleve të dukshme fetarë gjatë orarit të punës, siç është shamia.

Por, ndalesa ndaj “veshjeve të dukshme me çfarëdo shenje politike, filozofike apo fetare” duhet patjetër të bazohet në rregullat e brendshme të kompanisë që iu kërkon të gjithë punëtorëve të vishen në mënyrë neutrale, ka thënë kjo gjykatë.

Ky është vendimi i parë i kësaj gjykate për çështjen e grave me shami islamike në vend të punës.

Vendimi ka ardhur pasi dy punonjëse femra në Belgjikë dhe në Francë, janë pushuar nga puna, pasi ato refuzuan të heqin shaminë në vendin e tyre të punës.

Në rastin e parë, një grua belge e cila punonte si recepsioniste për G4S, e kishte të ndaluar në mënyrë të përgjithshme mbajtjen e simboleve fetare në punë gjë të cilën ajo e bëri, ndërsa në rastin e dytë, një franceze e cila ishte  IT konsulente, kishte refuzuar ta hiqte pasi një klient u ankua.