Gjykata e Apelit zbutë dënimet ndaj personave në rastin “Rolex”

Gjykata e Apelit e Kosovës, duke vendosur në bazë të ankesave të palëve, ka ulur dënimet për një grup të akuzuarish, në rastin e ashtuquajtur “Rolex”.

Gjykata e Apelit zbutë dënimet ndaj personave në rastin “Rolex”

Të akuzuarin A. S., i cili nga gjykata e shkallës se parë ishte dënuar me 12 vjet burgim dhe 12 mijë e 500 euro gjobë, për veprën penale ‘krim i organizuar’ lidhur me veprën penale të ‘grabitjes’, Gjykata e Apelit e gjykoi me 8 vjet burgim dhe 8 mijë euro gjobë.

Të akuzuarit G. A. dhe Rr. A. dhe E. G., të dënuar secili veç e veç nga Gjykata Themelore, për të njëjtat vepra, me nga 11 vjet burgim dhe 12 mijë e 500 euro gjobë, Gjykata e Apelit i dënoi me nga 7 vjet burgim dhe nga 7 mijë euro gjobë.

Ndërsa të akuzuarin H. G., i cili ishte shpallur fajtor për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armeve, për të cilën vepër ishte dënuar me 3 vjet burgim, kjo gjykatë e dënoi me 2 vjet burgim.

“Kolegji penal prej tre anëtaresh kësaj gjykate, gjeti se gjykata e shkallës se parë ka vërtetuar drejt gjendjen faktike dhe ka aplikuar drejt ligjin penal, kur të akuzuarit i ka shpallur fajtorë, për veprat e lartcekura. Ndërsa sa i përket vendimit mbi dënim, kolegji vlerësoi se vlerësimi i rrethanave renduese dhe lehtësuese, lidhur me peshën e veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale, gjendjen personale dhe ekonomike, nuk është bërë si duhet”, thuhet ndër tjera në komunikatë për media të Gjykatës së Apelit./Insajderi.com