Gjykata e Apelit: Insajderi cenoi pavarësinë e gjyqësorit, i panevojshëm reagimi i AGK-së

Reagimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe shkrimet e Gazetës Online Insadjeri nuk i kanë pëlqyer Gjykatës së Apelit. I ka vlerësuar si përpjekje për të ndikuar në pavarësinë e gjyqësorit.

Gjykata e Apelit: Insajderi cenoi pavarësinë e gjyqësorit, i panevojshëm reagimi i AGK-së

Gjykata e Apelit ka pritur pesë ditë për të dal me reagim publik. Ka treguar se nuk i kanë pëlqyer shkrimet e Insajderit dhe e ka vlerësuar si të panevojshëm reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

“Gjykata e Apelit shprehet e indinjuar lidhur me gjuhen fyese, shpifëse dhe paragjykuese të portalit online Insajderi, kundrejt kësaj gjykate dhe disa gjyqtarëve të saj”, thuhet në reagimin për media të këtij institucioni.

Ka përmendur në reagim dy artikuj të Insajderit, të botuar më 6 tetor të këtij viti:  “Gjykata e Apelit në rolin e avokatit të Grabovcit kundër Insajderit” si dhe “Përgjigje për shërbëtorët e Grabovcit në Gjykatën e Apelit”.

I ka vlerësuar si sulm direkt mbi pavarësinë e gjyqësorit.

“Askush  nuk guxon të marr rolin e një autoriteti suprem për ta udhëzuar gjykatën se çfarë vendimesh duhet të marrë, përveç gjykatës së instancës me të lartë. Kjo është një e drejtë e pakontestueshme e gjykatës, e cila gjykon në bazë të ligjit. Kushdo që është i pakënaqur me vendimet e kësaj gjykata mund t’i atakoj ato në rrugë institucionale dhe ligjore”, thuhet në reagimin e Gjykatës së Apelit.

Tutje në komunikatë thuhet se “Gjykata e Apelit vlerëson lartë rolin e medieve dhe respekton fjalën e lirë, por nuk pranon presionin e tyre, kur  ato janë palë në procedurë, me qellim që të ndikojnë në marrjen e vendimeve  gjyqësore”.

Sipas Apelit, veprimet e tilla nuk  i kontribuojnë lirisë se shprehjes e rrjedhimisht as drejtësisë së paanshme e të pandikuar.

Po ashtu,  Gjykata e Apelit e sheh  si krejt të panevojshëm reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës lidhur me këtë rast. Ky reagim, sipas Apelit, sugjeron gjykatat se çfarë dispozitash duhet të përdorin.

“…kjo gjykatë garanton se secila palë në procedurë gjyqësore do të ketë mundësi ti përdore të gjitha mjetet ligjore për të drejtat e pretenduara, por në asnjë mënyrë kjo gjykatë nuk pranon udhëzime e sugjerime se si duhet të zbatohet ligji, as kur këto sugjerime bëhen nga Asociacioni i  Gazetarëve të Kosovës”, thuhet në reagim.

Gjykata e Apelit në rolin e avokatit të Grabovcit kundër Insajderit

Përgjigje për shërbëtorët e Grabovcit në Gjykatën e Apelit