Hidhet poshtë aktakuza kundër Enver Hasanit

Hidhet poshtë aktakuza kundër Enver Hasanit

Gjykata e Apelit ka vendosur që të hedh poshtë akuzën ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili akuzohej për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Insajderi ka mësuar se vendimi i Apelit është marrë gjatë kësaj jave, por nuk është bërë publik derisa të gjitha palët e përfshira në proces të pranojnë vendimin. Ky verdikt pritet t’u dorëzohet palëve javën e ardhshme.

Rrjedhimisht, vendimi i Gjykatës së Apelit i jep fund rastit të Hasanit i cili u akuzua nga Prokuroria Speciale në fillim të vitit 2016.

Ai akuzohej se në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese kishte shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme pozitën zyrtare kur kishte vendosur për të nxjerrë një aktvendim për papranueshmëri lidhur me një kërkesë të ish-presidentes Atifete Jahjaga, që kishte të bënte me emërimet e gjyqtarëve ndërkombëtar në Kushtetuese.

Hasani dyshohej se kishte shënuar të dhëna të rreme në një aktvendim për papranueshmërinë e asaj lëndë, duke e shënuar në faqen e parë të këtij aktvendimi edhe emrin e gjyqtarit Robert Carolan si pjesëmarrës në trajtimin e kësaj çështje kushtetuese.

Por, Carolan nuk kishte marrë pjesë në trajtimin e kësaj çështje.

Si pasojë gjyqtarët kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme mandatet shtesë si gjyqtarë ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Hasani gjatë tërë procesit ishte thirrur në imunitetin funksional që sipas tij ai ka pasur si kryetar i gjykatës, por që ishte hedhur poshtë nga shkalla e parë.

Atë kohë, prokuroria i kishte propozuar Gjykatës së Apelit që ta aprovojë ankesën e Prokurorisë si të bazuar dhe të anulojë Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për krime të rënda, të datës 17 dhjetor 2015, si dhe të konstatojë se në rastin konkret i pandehuri Enver Hasani nuk gëzon imunitet funksional.

Sipas vlerësimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, veprimet për të cilat akuzohet Enver Hasani, nuk i ka ndërmarrë brenda fushës së përgjegjësive si gjykatës dhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese, për të cilat gëzon imunitet funksional.

Sipas kushtetutës së Kosovës, imuniteti funksional i zyrtarëve të lartë të Republikës së Kosovës është interpretuar nga Gjykata Kushtetuese me Aktgjykimin KO 98/11 të datës 20 shtator 2011, me ç’rast qartë është theksuar se imuniteti funksional ka të bëjë me ushtrimin e autorizimeve ligjore e jo edhe me keqpërdorimin e këtyre autorizimeve apo shkeljen e ligjit, siç është rasti konkret për të cilin është ngritur aktakuza ndaj të Hasanit./Insajderi.com

Stema e dyshimtë në aktvendimin për rastin e Enver Hasanit

Më tepër për Dosja Grande

Mobilizimi i grupit të Ukë Rugovës për dy njëshat e një nxënësi