Gjykata cakton procedurë përmbarimore kundër UP-së, humb betejën me kandidatin

Universiteti i Prishtinës humb betejën me kandidatët që kishin aplikuar në konkursin e tetorit të vitit 2016. Gazeta Insajderi kishte shkruar për këtë rast se si Inspektorati i Punës dhe ai i Arsimit i kishin dhënë të drejtë një kandidati që ishte ankuar, por që Universiteti nuk i kishte zbatuar ato vendime. Madje, Inspektorati i Arsimit, bazuar në të gjeturat e rastit, kishte kërkuar nga Prokuroria që të ngrihet aktakuzë ndaj Universitetit të Prishtinës dhe vetë rektorit Marjan Dema.

Gjykata cakton procedurë përmbarimore kundër UP-së, humb betejën me kandidatin

Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë vendim për anulimin e rezultateve të konkursit të 30 tetorit të vitit 2016 në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Përveç kësaj, gjykata detyron UP-në që ta kompensojë kandidatin Bekim Sele, i cili kishte ndjekur të gjitha instancat e ankesës.

“… Caktohet përmbarimi ndaj debitorit: Universiteti i Prishtinës-Fakulteti i Arteve (…), ashtu që detyrohet debitori që të shfuqizojë rezultatin e konkursit për lëndën: Histori filmi, Histori Filmi Kombëtar dhe Teori Filmi (baçelor), Teori Filmi (master), Teori Filmi në Programe”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Po ashtu, UP detyrohet që t’i shfuqizojë rezultatet dhe rasti të kthehet në rivlerësim, duke kërkuar që të eliminohet shkeljet e konstatuara.

“Të kthehen në rishqyrtim (rivlerësim), tek komisioni recensues në kuadër të Fakultetit të Arteve, Dega Arteve Dramatike, vlerësimet për të gjithë kandidatët pjesëmarrës për pozitën e lartpërmendur, në mënyrë që të respektohen në përpikëri të gjitha procedurat, kriteret e konkursit, Rregullorja nr. 2/475, gjatë përsëritjes së procedurave të eliminohen shkeljet e konstatuara, dhe atë në afat prej 7 ditëve nga dita e pranimit të këtij aktvendimi”, precizon vendimi.

Gjykata në vendim thotë se nëse obligimet nuk zbatohen nga ana e UP-së, atëherë do ta zbatojë Ligjin për Procedurën Përmbarimore (LPP).

“Po që se debitori nuk e përmbush obligimin në afatin e caktuar si më lartë, ndaj tij do të zbatohen dispozitat e neneve 15 dhe 16 të LPP-së”, vazhdon vendimi i Gjykatës.

Nëse UP-ja nuk e zbaton vendimin e Gjykatës, atëherë rrezikon dënimin deri në 10 mijë euro.

Pika 2 e nenit 15 të LPP-së thotë se “Gjobat mund të shqiptohen kundër personave fizik në procedurën përmbarimore në shumë prej njëqind (100) gjer në njëmijë (1.000) euro, përderisa për personat juridik në shumë prej njëmijë (1.000) gjer në dhjetë mijë (10.000) euro”.

Nga ndëshkimi nuk do të shpëtojnë as personat përgjegjës dhe ata juridik. Në pikën 3 të po të njëjtit nen, thuhet se “Gjoba në të holla në shumë prej pesëqind (500) deri dymijë e pesëqind (2.500) euro mund t’i shqiptohet edhe personit përgjegjës të personit juridik”.

Gjithashtu, Gjykata përmend edhe zbatimin e nenit 16 të LPP-së nëse Universiteti i Prishtinës nuk e zbaton me kohë vendimin.

Neni 16 i këtij Ligji parasheh dënime shtesë vonesat e zbatimit të vendimit.

“Gjobat për çdo ditë të vonesës do të jenë mbi pesë (5) euro por jo më lartë se pesëdhjetë (50) euro për personat fizik, dhe mbi pesëdhjetë (50) euro por jo më tepër se pesëqind (500) euro për personat juridik…”, thuhet në pikën 2 të nenit 16 të LPP-së.

Universiteti nuk ka përgjigje për vendimin e Gjykatës

Në konkursin e 30 tetorit të vitit 2016, Universiteti i Prishtinës, gjegjësisht Fakulteti i Arteve, kishte zgjedhë stafin akademik në lëndët Histori filmi, Histori Filmi Kombëtar dhe Teori Filmi (baçelor), Teori Filmi (master), Teori Filmi në Programe.

Pavarësisht ankesave dhe raporteve të Inspektoratit të Punës dhe të Arsimit, stafi i përzgjedhur kishte vazhduar t’u ligjëronte studentëve në Fakultetin e Arteve për këto lëndë. Aty studentët kanë marrë edhe nota.

Gazeta Insajderi ka kërkuar nga Universiteti i Prishtinës sqarim se si do të veprojë në situatën e krijuar pas vendimit të Gjykatës, por nuk kanë kthyer përgjigje.

UP-ja nuk është përgjigjur në pyetjen se çfarë do të ndodhë me ligjëratat dhe notat e studentëve përgjatë kësaj kohe. Gjithashtu, Insajderi ka kërkuar përgjigje nga UP-ja nëse janë paguar kundërligjshëm profesorët e përzgjedhur, marrë për bazë vendimin e Gjykatës.

Në pyetjet e njëjta nuk ka kthyer përgjigje as Fakulteti i Arteve në të cilin këta profesorë kanë ligjëruar.

Procesi ishte shoqëruar me parregullsi të shumta

Konkursi i 30 tetorit 2016 për Fakultetin e Arteve nuk kishte shkuar edhe aq mirë. Një ndër pozitat me të cilën u doli telashe ishte ajo për mësimdhënës për lëndën Teoria e filmit – niveli baçelor dhe mastër. Aplikuan nëntë kandidatë, ndër ta edhe Bekim Sele.

Komisioni vlerësues vendosi të mos e përzgjedhë atë për këtë pozitë. Ai bëri ankesë në Rektorat, duke konsideruar se i është bërë e padrejtë. Iu vonua përgjigjja, vendoi të ankohet në Inspektoratin e Arsimit në MAShT.

Inspektorati i Arsimin, pas inspektimit nxjerr shkelje të mëdha. Në raportin e 30 jaranit 2017, të cilin e kishte siguruar Gazeta Insajderi, thuhet se kandidatit Bekim Sele, ndër tjera, i është ndryshuar nota mesatare.

Rreth ndryshimit të notës mesatare, sekretari i përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi, ishte munduar t’i arsyetohej Inspektoratit të Arsimit, duke e quajtur atë si ‘lëshim teknik’, duke thënë se nota mesatare nuk ka qenë kriter në konkurs. Por kjo nuk përbënte argument për Inspektoratin.

Pavarësisht kësaj, Senati i UP-së, në vendimin e 7 shkurtit, e refuzoi ankesën e kandidatit Bekim Sele. Ndër tjera, Senati e merr si provë atë se kandidati Bekim Sele nuk ka recension pozitiv.

Ky vendim, sipas Inspektoratit të Arsimit, nuk përmban bazë ligjore dhe as këshillë juridike për palën.

Në fakt, Komisioni vlerësues nuk kishte hartuar fare recension për kandidatin Bekim Sele, edhe pse ishte i obliguar ta bënte këtë.

Mos-hartimin e recensioneve për të gjithë kandidatët, Inspektorati i Arsimit e kishte konstatuar si shkelje.

Madje raporti i Inspektoratit të Arsimit konstatoi se Komisioni vlerësues në këtë proces i është referuar një Rregulloreje të vitit 2004, e cila nuk do të duhej të ishte në fuqi.

Kjo për faktin se të gjitha rregulloret e UP-së do të duhej të harmonizoheshin me Statutin e Universitetit më së largu gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi. Statuti i UP-së ka hyrë në fuqi qysh në vitin 2012.

Asokohe, Rektorati kishte thënë për Insajderin se janë duke i analizuar raportet e Inspektoratit të Punës dhe atij të Arsimit.

Në fakt, Rektorati përmes Sekretarit të saj, Esat Kelmendit, ishte ankuar në shkallën e dytë të Inspektoratit në Ministrinë e Arsimit. Por ajo e kishte refuzuar atë.

Fakulteti i Arteve nuk kishte kthyer përgjigje Po ashtu, përgjigje për këtë rast nuk ka kthyer as dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi.

Marrë për bazë këto të gjetura, Inspektorati i Arsimit kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër Universitetit të Prishtinës dhe rektorit Marjan Dema.

Në këtë kallëzim penal, të cilin e kishte siguruar Gazeta Insajderi, bazuar në të gjeturat e Inspektoratit, kërkohet që të ngrihet aktakuzë.

Shkeljet që nxori Inspektorati i Punës

Pas Inspektoratit të Arsimit, edhe Inspektorati i Punës ka nxjerrë shkelje në konkursin e Fakultetit të Arteve.

Në raportin e 3 marsit 2017, ky Inspektorat ka gjetur se Komisioni vlerësues nuk i ka kryer obligimet e veta konform Statutit të UP-së për vlerësimin e kandidatëve, dhe rrjedhimisht ka përzgjedhë kandidatin që nuk i plotësonte kushtet.

Ndonëse Komisioni vlerësues është i obliguar ta bëjë vlerësimin për secilin kandidat, Inspektorati i Punës, në raportin të cilin e kishte siguruan Insajderi, thotë se nuk është kryer kjo detyrë.

Komisioni vlerësues përbëhej nga Jeton Ahmetaj, kryetar; Sylejman Kllokoqi, anëtar; dhe Emin Halili, anëtar.

Pavarësisht kësaj, bazuar në Udhëzuesin për procedurat e zgjedhjes, rizgjedhjes, dhe avancimit të personelit akademik, pika 18 e tij, ku flet për Komisionet vlerësuese, thotë se Komisioni e ka për obligim të hartojë raport për secilin kandidat.

“Komision vlerësues është i obliguar që të shkruajë raport edhe për kandidatët që nuk rekomandon apo i plotësojnë kriteret, me një arsyetim përcjellës për secilin kandidat”, thuhet në Udhëzues.

Për më tepër, Inspektorati i Punës kishte thënë se kandidatëve u bë mbi dokumente që nuk ekzistojnë.

Inspektorati i Arsimit kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj rektorit Marjan Dema

Shkalla e parë e Inspektoratit të Arsimit i kishte dhënë të drejtë kandidatit Bekim Seles në pretendimet e tij, duke kërkuar nga Rektorati ta zbatojë vendimin.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e sekretarit të përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”… Mbetet në fuqi vendimi … i nxjerrë nga inspektorja e arsimit”, thuhet në vendimin e Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MAShT-it.

Rektorati, përmes sekretarit të përgjithshëm, ishte ankua në shkallën e dytë  të Inspektoratit të Arsimit, e cila po ashtu i jep të drejtë kandidatit Bekim Sele.

Moszbatimi i vendimit të shkallës së dytë të Inspektoratit të Arsimit e detyroi këtë të fundit të ushtrojë kallëzim penal ndaj UP-së dhe rektorit të saj, Marjan Dema.

Gazeta Insajderi e kishte siguruar kallëzimin penal të cilin Inspektorati i Arsimit e ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në të cilin kërkon që të ngrihet aktakuzë ndaj tij.

“Duke pasur parasysh faktet e prezantuara më lartë kërkojmë nga organi i lartcekur që të ngrisë aktakuzë ndaj Rektoratit të UP dhe Rektorit Marjan Dema, sepse më moszbatimin e vendimeve të DIA është cenuar e drejta nga marrëdhënia e punës për z. Bekim Sele dhe me zgjedhjen e kandidatit të pakualifikuar sipas kritereve të parapara në konkurs është dëmtuar cilësia e procesit mësimor”, thuhet në fund të kallëzimit penal./Insajderi.com