Gjykata amerikane vendos sot për hakerin nga Kosova

Gjykata amerikane vendos sot për hakerin nga Kosova

Hakeri kosovar Ardit Ferizi, i cili dyshohet se i kishte ndihmuar grupit terrorist ISIS duke ia siguruar emrat e më shumë se 1.000 punëtorëve të qeverisë dhe ushtarëve amerikanë si objektiva të mundshëm, mund të dënohet me burg deri në 25 vjet.

25-vjeçari i lindur në Kosovë, ishte arrestuar vitin e kaluar në Malajzi dhe të premten pritet që t’i caktohet dënimi në gjykatën federale në Virgjinia. Ai u bë personi i parë në Amerikë që u dënua për të dyja akuzat – hakim të kompjuterëve dhe për terrorizëm.

Ferizi e hakoi një kompani private dhe i nxori emrat, fjalëkalimet e e-maileve dhe numrat e telefonit të më shumë se 1.300 njerëzve me .gov dhe .mil. Më pas shteti Islamik i kishte publikuar këto emra me kërcënimin për të sulmuar, transmeton Klan Kosova.

Prokurorët kërkojnë dënimin maksimal prej 25 vjetësh, ndërsa avokatët mbrojtës të kosovarit thonë se Ferizi nuk pretendoi të bëjë ndonjë gjë të keqe dhe po kërkojnë një dënim gjashtëvjeçar.