Gjuriqi nuk e pranon ofertën e Thaçit

Gjuriqi nuk e pranon ofertën e Thaçit

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, para disa ditësh i bëri kërkesë drejtorit të të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, që të pajiset me dokumente të Kosovës, pasi ky i fundit po bën vizita të shpeshta në vendin tonë. Kësisoj, sipas Thaçit, i njëjti do ta kishte më të lehtë të futet brenda territorit tonë.

Mirëpo, deklaratës së presidentit i është kundërpërgjigjur zyrtari nga Beogradi. Sipas tij, dokumentet kosovare janë të rreme dhe nuk kryejnë kurrfarë pune.

“Kryetari i institucioneve të përkohshme të Kosovës nuk ka nevojë të më ofrojë dokumente të udhëtimit të cilat janë të rreme. Ia rikujtoj atij se me pasaportë serbe mund të udhëtojë në 119 vende të botës”, është shprehur Gjuriq.

Ai tha se pasaporta kosovare është e panevojshme dhe kjo vërtetohet për faktin se liderët nga Kosova janë të pajisur me dokumente nga shteti i Shqipërisë.

“…Thaçi, Haradinaj dhe homologët e tyre në Prishtinë kanë pasaporta të Republikës së Shqipërisë”, është shprehur ai./Gazeta Metro/