Gjuriq: Prapa kërkesës së Kosovës në Interpol qëndrojnë qëllime separatiste  

Gjuriq: Prapa kërkesës së Kosovës në Interpol qëndrojnë qëllime separatiste  

Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se Serbia do të bëjë cdo gjë që të pengojë anëtarësimin e Kosovë në Interpol.

Ai ka theksuar se prapa kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare qëndrojnë qëllime separatiste dhe dëshira që të konfirmohet sovraniteti.

“Kosova tash në Interpol përfaqësohet përmes organeve të Serbisë dhe përmes UNMIK-ut. Nëse gjendet ndonjë kriminel që do të duhej arrestuar nga territori i Kosovës, kjo çështje tashmë zgjidhur”, ka thënë për TV Pink Gjuriq .

“Ata anëtarësimin në Interpol do ta shfrytëzonin vetëm për ndjekjen e qytetarëve serbë, njerëzit që në vitin 1999 morën pjesë në mbrojtjen e vendit. Tashmë e kanë listën me ata që do të ndiqen e keqtrajtohen, përfshirë edhe politikanët”, ka thënë ai.

Anëtarësimi në Interpol i mundëson çdo anëtari veprim autonom, e Gjuriq thotë se Kosovës tash i duhet pëlqimi i KB-së për ta ekstraduar ndokënd por kështu nuk do të ndodhë nëse ajo bëhet anëtare e Interpolit.

Për Gjuriqin është shokante që disa politikanë opozitarë, si Sasha Jankoviq, siç ka thënë ai po thërrasin për anëtarësimi të Kosovës në Interpol.

“Dua të besoj se ata njerëz s’e kuptojnë për çfarë është fjala ndaj dhe thonë se Kosova duhet të anëtarësohet në Interpol. Ne do të luftojmë kundër kësaj dhe do të bëjmë çdo gjë për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol”, ka theksuar Gjuriq.