Gjuriq mbron të akuzuarin për krime lufte në Kosovë  

Gjuriq mbron të akuzuarin për krime lufte në Kosovë  

Bogdan Mitrovic u arrestua gjatë ditës së djeshme në fshatin Mushtisht të komunës së Suharekës, gjatë një vizite në shtëpinë që kishte braktisur dhe kishin ortodokse serbe.

Mitrovic akuzohet për “vepra serioze kriminale dhe lufte”, në Kosovë, i cili pas arrestimit është dërguar në Prizren.

Për arrestimin e tij ka reaguar, udhëheqësi i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Ai ka thënë se arrestimi i njerëzve në bazë “të disa listave sekrete”, përfaqëson thjeshtë një justifikim për të vazhduar me politikën e spastrimit etnik që synon serbët në Kosovë”, shkruan B92.

Në një deklaratë, Gjuriq tha se fshati Mushtishtë në vitet e fundit ka përfaqësuar një simbol të vuajtjeve të popullit serb dhe një vend grumbullimi të “shovinistëve më të ashpër shqiptarë dhe armiqve serbë”.

Në vend që të krijojnë kushte që serbët e zhvendosur të kthehen në fshat dhe të tregojnë se janë në favor të kthimit të një flete të re në marrëdhëniet serbo-shqiptare, autoritetet e përkohshme në Prishtinë po dërgojnë “ekspedita ndëshkuese” ndaj serbëve që vizitojnë shtëpitë e tyre dhe kishën e tyre, vazhdoi ai.

“Ne e kemi kuptuar këtë mesazh, dhe përsëri mesazhi ynë për politikanët në Prishtinë, por edhe për komunitetin ndërkombëtar është që durimi ynë nuk është i pakufishëm dhe se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve nëse pala tjetër nuk e dëshiron atë”, theksoi Gjuriç.

Sipas tij, është “koha e duhur” për të ndërmarrë masa vendimtare për të ndëshkuar ata që kanë pastruar etnikisht dhjetëra qytete dhe fshatra serbe në Kosovë.

“Por në vend të kësaj, sot kemi një vazhdimësi të praktikës së turpshme dhe çnjerëzore të ngacmimit të atyre që tashmë kanë qenë viktima të një krimi dhe të pandjeshmërisë së plotë të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare ndaj tmerreve që po ndodhin me popullin serb”, ka deklaruar ai. /Insajderi.com