Gjuriq i kërkon EULEX-it ta “shpëtojë” Ivanoviqin

Gjuriq i kërkon EULEX-it ta “shpëtojë” Ivanoviqin

Marko Gjuriq ka kërkuar nga shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou që të lejoj lirimin me kusht të liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, i dërgoi sot një letër shefës së misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, përmes së cilës i bëri thirrje asaj që ta lirojë nga paraburgimi Oliver Ivanoviqin.

“Pa cenuar parimet e pavarësisë së gjyqësorit, ju lutemi urgjentisht që të merrni masa brenda juridiksionit të Kosovës dhe të përdorni të gjitha mjetet që keni në dispozicion që të lironi nga paraburgimi Oliver Ivanoviqin”, thuhet në letrën që Gjuriq i ka dërguar Papadopoulout, ka njoftuar e ashtuquajtura zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Gjuriq ka thënë se vendimi i Gjykatës së Apelit në Prishtinë për të rikthyer në ri-gjykim rastin e Oliver Ivanoviqit, tregon se ky rast është bërë për arsye politike, shkruan sot portali serb “Novosti”.

“Oliver Ivanovic është në paraburgim që nga 27 janari vitit 2014 dhe është në paraburgim që nga 21 shtatori I vitit 2015. Gjatë qëndrimit në paraburgim Ivanoviq ka pësuar përkeqësim të shëndetit dhe vuajtje të mëdha prej ndarjes nga familja e tij”, ka thënë Gjuriq në letrën e tij dërguar EULEX-it.

Oliver Ivanoviq do të rigjykohet nga Gjykata Themelore në Mitrovicë nën akuzat për krime lufte gjatë periudhës 1999-2000 kundër civilëve shqiptarë. Kjo erdhi pasi, Gjykata e Apelit ka gjetur shkelje procedurale dhe ka vlerësuar se nuk është vërtetuar plotësisht gjendja faktike gjatë gjykimit në shkallën e parë. /Insajderi.com