Gjuriq: Ideja e Shqipërisë së Madhe është varrosur me vdekjen e Enver Hoxhës

Gjuriq: Ideja e Shqipërisë së Madhe është varrosur me vdekjen e Enver Hoxhës

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë sot se “askush nuk duhet të luajë me idenë fashiste të Shqipërisë së Madhe”.

Gjuriq tha se ideja e bashkimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ka vdekur që kur ndërroi jetë ish-lideri komunist i Shqipërisë Enver Hoxhaj, njofton Insajderi.

“Unë do të doja të informoja Edi Ramën dhe Hashim Thaçin se Enver Hoxha ka vdekur dhe se me të është varrosur përgjithmonë ideja e Shqipërisë së Madhe, që i takon një pjese të errët të së kaluarës fashiste të kësaj pjese të Gadishullit tonë Ballkanik”, ka thënë Gjuriq, raporton B92.

Gjuriq po reagonte ndaj një deklarate të kryeministri shqiptar, Edi Rama në mediumin amerikan “Politico”, ku nuk e përjashtonte mundësinë e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës.

Rama ka deklaruar sot se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse prespektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE venitet. Ai ka paralajmëruar se “Europa mund të përballet me një makth” nëse vendet e Ballkanit “çmenden” si pasojë e nxjerrjes së zgjerimit jashtë agjendës së Unionit.

“Rajoni do të kthehet në një zonë gri ku aktorë të tjerë do të jenë më influentë sesa Bashkimi Europian”, ka thënë Rama.

I pyetur nëse do të bëjë një bashkim me Kosovën në mënyrë të njëanshme, Rama është përgjigjur: “Jo, sepse mënyra e vetme për të ruajtur paqen në Ballkan është që shtegu drejt BE-së të jetë i hapur, që perspektiva të jetë e qartë dhe që ndjenjat karshi BE-së të jenë pozitive”.

“Askush nuk do të shohë drejt unioneve më të vogla. Të gjithë duan që të bashkohen në Unionin e madh. Por nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë dhe nuk ka hapësirë, atëherë bashkimet e vogla mund të ndodhin”, ka thënë Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se bashkimi me Kosovën nuk është dëshira e tij, por një alternativë ndaj mbylljes së dyerve nga Bashkimi Europian. /Insajderi.com