Gjuriq: Asociacioni nuk është i kushtëzuar me shuarjen e struturave paralele

Gjuriq: Asociacioni nuk është i kushtëzuar me shuarjen e struturave paralele

Porositë, të cilat i ka dhënë nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, gjatë vizitës në Kosovë, lidhur me formimin e Asociacionit janë trimëruese, ka thënë shefi i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq.

Në një bisedë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Gjuriq ka theksuar se tashmë nga Prishtina priten më shumë vepra se sa fjalë, kur bëhet fjalë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Mendoj që në periudhën e ardhshme, kjo është shumë e rëndësishme për drejtpeshimin e zbatimit të marrëveshjes dhe për përparimin e mëtejmë të normalizimit. Madje, mund të them se kushti, pa të cilin nuk mund të shënohet përparim i marrëdhënieve, është zbatimi i marrëveshjes për Bashkësinë e komunave serbe”, ka theksuar Gjuriq.

Duke i komentuar deklaratat në takimin e fundit në Bruksel, është biseduar vetëm për çështjen e telefonisë por jo edhe për Asociacionin, Gjuriq ka thënë se për çështjen e Asociacionit ka biseduar vetëm me delegacionin e Bashkimit Evropian, në mënyrë mjaft të detajuar.

Sa i përket deklaratavë të autoriteteve të Kosovës se Asociacioni nuk do të formohet pa zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe pa shpërbërjen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, Gjuriq i sheh si ikje nga obligimet që janë marrë në Bruksel.

“Mjafton që të shihni marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe marrëveshjet e mëvonshme për bashkësinë e komunave, në to askund nuk përmendet kurrfarë shuarje e çfarëdo institucioneve, të cilat ata i quajnë paralele dhe ngjashëm”.

“ Për më shumë, jo në kontekstin e çfarëdo kushtëzimi për obligimet që ka Prishtina. Pra, ata po shpikin kushte jo ekzistuese, të cilat askund nuk mund t’i argumentojnë, as në letër e as në përmbajtjen e bisedimeve të tilla”, ka deklaruar Gjuriq. /REL