Gjuka paralajmëron dëme të mëdha në buxhet, nëse nuk bëhet shpronësimi i banorëve  

Gjuka paralajmëron dëme të mëdha në buxhet, nëse nuk bëhet shpronësimi i banorëve  

Ndonëse Kosova llogaritet e pesta në botë për kah rezervat e thëngjillit, vendi ka hyrë në krizë energjetike për mungesë të rezervave të qymyrit që kanë shkaktuar vonesat në shpronësimin e pronave në Shipitullë e Hade.

Drejtori i Korporatës Energjetike, Arben Gjuka i ka thënë Radio Kosovës se plani emergjent parasheh të shkohet në reduktim të prodhimit të energjisë.

Korporata Elektro-energjetike pritet domosdoshmërisht të reduktojë prodhimin e energjisë elektrike dhe t’i drejtohet importit, pasi KEK-u  po përballet me shpenzimin e rezervave të thëngjillit.

Qeveria në detyrë ka miratuar javën e kaluar vendimin për shqyrtimin e kërkesës për shpronësim të pronave që preken nga zgjerimi i mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit në Hade e Shipitullë të Obiliq.

Drejtori i Korporatës Elktro-energjetike, Arben Gjuka i ka thënë Radio Kosovës se nëse kjo nuk bëhet më shpejt dëmet  në  buxhet do të jenë tejet të mëdha .

E tërë situata sipas Gjukës pret një vlerësim të Agjencisë së Emergjencave për evakuim në 8 shtëpi të pabanuara të ndërtuara pa leje por me qëllim të përfitimit në shpronësim.

Ministria e Mjedisit dhe Komuna e Obiliqit  kanë dështuar të frenojnë ndërtimet e reja pa leje në këtë pjesë. Rrjedhimisht shpronësimi që  parashihej të kushtonte 5 milionë euro, tani  kostoja e tij kap shifrën e 15 deri 20 milionë euro.

Gjuka thotë se mjetet e shpronësimit janë deponuar në Bankën Qendrore.

“ Me 19 qershor KEK-u ka deponuar në llogarinë e Bankës  Qendror në Mirëbesim një shumë prej 20 milionë eurosh”, i ka thënë Gjuka, Radio Kosovës.

Sipas një draft-strategjie të Qeverisë së Kosovës vendi ka rreth 12.5 miliardë tonë rezerva thëngjilli , e një raport i Bankës  Botërore  i vitit 2005 thotë se këto rezerva kapin shifrën e 15 miliardë tonë.