70-vjeçari gjuan me armë para Gjykatës Themelore në Pejë

70-vjeçari gjuan me armë para Gjykatës Themelore në Pejë

Një person rreth 70 vjeçar para një ore ka shtënë me armë zjarri ndaj një personi tjetër. Krejt kjo ndodhi para Gjykatës Themelore të Pejës.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj, e ka konfirmuar rastin. Ai ka thënë se fal ndërhyrjes së shpejtë të policisë, nuk ka pasur as të plagosur.

“E konfirmoj si rast, por ende nuk e kemi kualifikuar si rast. Kjo ka ndodhur sot në orën 13:27 në rrugën ‘Adem Jashari’ para Gjykatës Themelore në Pejë. Një person i dyshimtë rreth moshës 70 vjeçare ka shtënë më armë zjarri në drejtim të viktimës. Mirëpo, për fat të reagimit të shpejtë dhe të menjëhershëm të policisë, nuk ka pasur as plagosje”, ka thënë zëdhënësi Ibraj për Insajderin.

Ai ka thënë se personi është arrestuar dhe arma i është konfiskuar. Ende nuk dihet motivi i këtij rasti, pasi policia është në fazën e grumbullimit të informatave.

“I dyshimti është arrestuar dhe arma i është konfiskuar. Policia është në proces të grumbullimit të informacioneve tjera që ndërlidhen me këtë rast. Për shkak të fazës së hetimeve, tash për tash nuk mund të japim informacione tjera”, ka shtuar Ibraj./Insajderi.com