Gjoshi: Vetëvendosje u trajnua nga ekspertë të huaj për manipulimin e votave

Gjoshi: Vetëvendosje u trajnua nga ekspertë të huaj për manipulimin e votave

Përfaqësuesi i PDK’së në KQZ, Betim Gjoshi, ka folur sot për ankesën që e kanë dorëzuar partia e tij në PZAP, e që sipas tyre, përbëjnë prova se gjatë balotazhit në Prizren ka pasur shumë manipulime nga Lëvizja Vetëvendosje. Për këto, siç shprehet Gjoshi, VV është trajnuar nga ekspert të huaj për manipulime.

Sipas tij, balotazhi i 19 nëntorit nuk ka shkuar si duhet dhe procesi zgjedhor në këtë qytet është manipuluar.

“PDK iu ka drejtuar PZAP-së me tri ankesa: një për Prizren, e dy të tjera për Rahovec dhe Klinë”.

“Kemi dorëzuar fakte, kishim edhe konferencë për Prizrenin ku prezantuam disa fakte, ndërsa faktet tjera janë bashkëngjitur me ankesën”.

“Ne si PDK dëshirojmë që vullneti i votuesve të shkojë në vendin e duhur, të kemi transparencë në publik dhe të gjithë ta shohin atë që ka ndodhur atë ditë në Komunën e Prizrenit”.

Gjoshi në Info Magazine të Klan Kosovës ka bërë një akuzë kundrejt Lëvizjes Vetëvendosje.

“Qytetarët e Kosovës do të vërtetohen çdo ditë e më shumë se Vetëvendosja e ka manipuluar këtë proces zgjedhor”.

“E dimë se kanë pasur edhe ekspertë nga jashtë që i kanë trajnuar për këto teknika të manipulimit të votës”.

“E di gjithë opinioni në Prizren, edhe vetë Vetëvendosja, ekspertët nga Shqipëria ishin me ditë të tëra. Kemi pasur denoncime që kanë trajnuar vëzhgues jo vetëm të Vetëvendosjes, por edhe të partive tjera që i kanë mbështetur”.

Ai ka thënë se PDK do të japë dëshmi për këtë akuzë, duke thënë se PZAP-ja i ka të bashkëngjitura faktet që mbështesin këto dyshime.