Gjokoviq rrezikon US Open dhe tërë sezonin

Gjokoviq rrezikon US Open dhe tërë sezonin

Periudhë vlerësimesh për tenistin serb Novak Djokovic, që ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë në të ardhmen.

Javën e kaluar, ish-numri 1 në botë ka qenë në Toronto të Kanadasë për të bërë disa verifikime të tjera të bërrylit të djathtë dhe më pas u rikthyer në Beograd, ku pritet që ditën e premte të zhvillojë një konferencë shtypi dhe të konfirmojë planet për të ardhmen, shkruan Top-channel.

Djokovic ka takuar mjekë të ndryshëm, edhe në Serbi e njëri prej tyre është mjeku i kombëtares serbe të tenisit, Zdeslav Milinkovic, që tha:

“Ky është një dëmtim që e persekuton prej më shumë se një viti, por që falë mjekimit dhe fizikut të tij ka arritur ta përballojë. Por problemi po bëhet kronik dhe në disa ndeshje ka luajtur me dhimbje të mëdha. Jemi miq prej vitesh dhe e di që kjo situatë nuk është e mirë për të”, tha mjeku.

Mjeku serb Zdeslav Milinkovic, më tej tha:

“Është një shqetësim që ka ardhur si pasojë e ndeshjeve të shumta të luajtura. Bërryli është një pjesë shumë delikate e trupit, nuk është i rrethuar nga muskuj dhe mbulohet thuajse vetëm nga lëkura. Ndaj ekziston mundësia që problemi të përhapet edhe në krah dhe shpatull. Djokovic ka nevojë të pushojë nga 6 deri në 12 javë. Do të bëjmë edhe një kontroll të fundit për të kuptuar nëse situata është përmirësuar apo jo. Gjatë kësaj periudhe nuk mund të stërvitet me raketë, por mund të zhvillojë palestër dhe të bëjë fizioterapi”, tha mjeku i besuar i Djokovic. Ai shtoi se prania e serbit në US Open është në rrezik, pasi ai nis pas 5 javësh, kohë e pamjaftueshme për ta parë Djokovic në fushë. Ndaj ai mund ta mbyllë sezonin dhe të jetë gati në janar të 2018-ës./Insajderi.com