Me gjithë gjendjen shëndetësore, Mustafa ngushëllon për vdekjen e bashkëthemeluesit të LDK-së

Me gjithë gjendjen shëndetësore, Mustafa ngushëllon për vdekjen e bashkëthemeluesit të LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka ngushëlluar familjen Çapriqi, pas ndarjes nga jeta të poetit dhe studiuesit të shquar të letërsisë në Kosovë, Basri Çapriqi.

Në emër të LDK-së, kryetari Mustafa ka shprehur konsideratat dhe respektin më të lartë për përkushtimin e madh të Basri Çapriqit për letërsinë, për shkencën dhe jetën intelektuale në Kosovë.

“Përveç gjurmëve të pashlyeshme që ka lënë në letrat shqipe, Basri Çapriqi dha kontribut të madh në kuadër të lëvizjes gjithëkombëtare për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës në fillim të viteve të ‘90, duke qenë pjesë e themelimit të LDK-së. Republika e Kosovës dhe populli i saj do ta përkujtojnë përherë Basri Çapriqin dhe kontributin e tij të shquar për Kosovën”, thuhet në telegramin e kryetarit Mustafa.