Gjilani është i kuq

Skuadra e Gjilanit ka mposhtur Dritën me rezultat minimal 1-0 në derbin më të madh lokal në Kosovë, atë të qytetit të Gjilanit.

Gjilani është i kuq

Qyteti i Gjilani është i kuq. Kështu do të jetë të pakten deri në ndeshjen e radhës ndërmjet Dritës dhe Gjilanit, pasi ndeshjen e sotme ndërmjet rivalëve të mëdhenj të qytetit e fitoi Gjilani.

Një gol në minutën e 96′ i shënuar nga kapiteni Ylber Kastrati i siguroi fitoren e madhe skuadrës së drejtuar nga Arbnor Morina. Një harkim në zonë nga Isa Eminhaziri u devijua saktë në rrjetë prej qendërmbrojtësit Ylber Kastrati, i cili realizoi në sytë e rreth 10 mijë shikuesve të mbledhur në stadiumin e qytetit në Gjilan.

Ndeshja filloi me disa minuta vonesë, kjo për shkak të një droni që fluturonte mbi fushë. Tifozët e dyja skuadrave dhuruan spektakël në tribuna, teksa spektakli nuk mungoi edhe në fushë me raste të shumta nga të dyja anët.

Ndeshja u nxeh edhe më shumë në minutën e 84′, kur u përjashtua trajneri i Gjilanit, Arbnor Morina, për shkak të protestave të shumta lidhur me referimin.

Përjashtim pati edhe në fushën e lojës, kur në minutën e 87′ mbrojtësi u Dritën Erdin Hashani u ndëshkua me karton të kuq, për shkak të pranimit të dy kartonave të verdhë.

/Insajderi.com