Gjiganti anglez bën gati 40 milionë euro për Mustafin

Gjiganti anglez bën gati 40 milionë euro për Mustafin

Arsene Wenger është gati të vihet në lëvizje për qendërmbrojtësin e Valencia-s, Shkodran Mustafi. Trajneri i Arsenal synon përforcojë sulmin dhe mbrojtjen në merkaton e verës, dhe Mustafi është në kreun e listës së tij të dëshirave.

Mbrojtësi 24-vjeçar gjerman, ka një klauzolë prej 49 milionë eurosh për prishjen e kontratës me klubin spanjoll, por Arsenal mendon se mund t’i sigurojë shërbimet e lojtarit për rreth 40 milionë euro: 29 menjëherë, 10 të tjera në varësi të paraqitjeve të lojtarit.

Mustafi është bashkuar këto ditë me Valencia-n pas aktivizimit në Euro 2016-të, ku ka bërë një paraqitje të mirë në qendrën e mbrojtjes së ekipit të Joachim Low, njofton Telesport.al.

Lojtari ka luajtur 12 ndeshje në total me Gjermaninë, duke realizuar një gol (gjatë fitores së Gjermanisë kundër Ukrainës në Francë këtë verë) që nga debutimi i tij kundër Polonisë në 2014-ën.

Wenger e ka bërë një blerje në mbrojtje në këtë merkato, duke marrë Rob Holding nga Bolton. Por tani i duhet të sigurojë një lojtar cilësor në qendër të mbrojtjes, pas dëmtimit të Per Mertesacker.